Vrasja e 51-vjeçarit në Mirditë dhe dyshimet për hakmarrje, reagon familja Reçi: Nuk kemi asnjë lidhje me ngjarjen, po na fusin në konflikte të paqena

163

Dyshimi i parë i policisë pas vrasjes së 51-vjeçarit Anton Keli mbrëmjen e sotme në Rrëshen është hakmarrja, nisur nga një sërë ngjarjesh me disa viktima mes familjes Gjini dhe familjes Reçi dhe lidhjes familjarë të Kelit me Armando e Prengë Gjinin.

Por në një mesazh për News24, avokati Aleksandër Ndrejaj, në emër të familjes Reçi deklaron se nuk ka asnjë lidhje me krimin e ndodhur sot.

Familja mohon kategorikisht implikimin me vrasjen e 51-vjeçarit dhe thotë se vrasjen e djalit të tyre Kastriotit ia kanë lënë në dorë prokurorisë dhe policisë.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot pasdite në Rrëshen, deklarojmë se familja Reçi nuk ka asnjë lidhje apo implikim me këtë ngjarje. Në lidhje me fatkeqësitë tona familjare për ngjarjet që kanë ndodhur ne ia kemi lënë në dorë Prokurorisë dhe policisë për të gjetur autoret për vrasjen e Kastriotit. Me këto veprime në media që po aludohen po fusin në konflikte të paqena familjen Reçi”, thuhet në mesazhin e Ndrejajt, përfaqësues i familjes Reçi në Rrëshen.

Familja Reçi ka humbur dy djem nga hakmarrja me familjen Gjini.