Vrasja e Klodian Rashës/ Reagon Albin Kurti: Protestat folën qartë, thirrja ka bërë jehonë kudo. Për ata në majë të pushtetit politik, janë momentet e fundit kur…

181

Albin Kurti, lideri i Vetëvendosje reagon për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha, duke theksuar se ata që janë në majë të pushtetit politik e shtetëror, kanë momentin e fundit të kuptojnë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh.

Ai thekson se revolta rinore mund të mos ketë prodhuar fjalime të sofistikuara por ajo foli e po flet qartë.

“Drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë”- e mbyll reagimi lideri i Vetëvendosje, partia e parë më e votuar në Kosovë. Ai është gjithashtu lideri i parë në Kosovë që reagon për vrasjen e 25 vjeçarit nga një efektiv policie.

Reagimi i plotë:

Ngushëllime familjes e shoqërisë, dhe mbarë të rinjve shqiptarë, për Klodian Rashën, 25 vjeçarin të cilit ia morën jetën në rrugicën pranë shtëpisë së tij.

I kam ndjekur me vëmendje nga mediat protestat dhe e kam ndjerë edhe në Prishtinë revoltën e të rinjve në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë. Thirrja “Drejtësi për Klodianin” ka bërë jehonë kudo mes shqiptarëve.

Ata që janë në majë të pushtetit politik e shtetëror, biznesor e mediatik, tash e kanë momentin e fundit që të kuptojnë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh.

Janë zhgënjyer qytetarët tanë, rinia jonë, siç janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve.

Revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara mirëpo ajo foli e po flet qartë. Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje.

Edhe në Kosovë jemi në të njëjtën pikë, por këtu ende nuk po shpërthen revolta, sepse është edhe një shpresë. Atë shpresë nuk do ta lëmë pa e bërë realitet.

Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo.

Drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë.