Nga Ola Xama
Shqipëria vlerësohet e dyta në Europën Kontinentale sa i takon vendburimeve të naftës mbi tokë (onshore). Nafta që del nga këto puse nuk është në cilësinë më të mirë që duan tregjet, pasi konsiderohet viskoze dhe nevojiten sasi të mëdha holluesi për ta bërë të lëvizshme dhe më të thejshtë nxjerrjen e saj nga nëntoka. Megjithatë cilësia e saj nuk ka qënë problem, pasi si uzina e Ballshit dikur dhe rafineri të tjera në botë, arrijnë ta përpunojnë dhe deri më sot ky biznes ka rezultuar me fitime të mëdha për prodhuesit.
Ndryshe nga kjo tablo, qytetarët shqiptarë edhe pse kanë një pasuri të madhe të naftës nga nëntoka, paguajnë çmimet më të larta në botë për të blerë karburant. Sot e gjithë nafta që prodhohet në vend shkon jashtë , ndërsa rafinerinë e vetme që kishim e degraduam gjatë një privatizimi të dështuar dhe më pas lamë duart duke e shitur për skrap për llogari të një banke.
Edhe vendburimet e naftës në puset Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë nuk mund të bënin përjashtim nga konteksti shqiptar. Por për ta shpjeguar më thjeshtë se çfarë ka ndodhur, historia është e tillë: Në Shqipëri vjen një kompani e lidhur me Gazprom Neft (ruse) dhe NIS (serbe) e përfaqësuar nga një biznesmen austriak me firmën Jurimex Kommerz Tranzit Ges. Kompania bën kërkesë pranë Albpetrol që të marrë puset e naftës Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Kocul. Kërkesa u bë në fund të 2016-s dhe në korrik 2017 Albpetrol dërgon në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë një draft -marrëveshje hidrokarbure, e cila pranohet nga ministria dhe Albpetrol autorizohet që të bëjë negocimin e kontratës përfundimtare dhe kërkesën për licencë pranë AKBN.
Më 9 shtator Kryeministri Edi Rama pret në një takim ish agjentin e FBI Charles McGonigal i shoqëruar nga Agron Neza. Me kërkesë të Agron Nezës, McGonigal e nxit kryeministrin që të bëjë kujdes për licencat që jepen në fushën e nxjerrjes së naftës ndaj kompanive ruse. Agron Neza dhe Dorian Duçka kishin të dy interesa financiare në vendimin për dhënien e këtyre licencave-thuhet në aktet e dosjes të FBI.
- Negociatat me firmën Jurimex nuk avancuan dhe në shkurt 2018 Albpetrol hap tender për dhënien me koncesion të puseve të naftës në këto vendburime. Nga 9 kompani pjesëmarrëse tenderi fitohet nga firma TransOil Group me administrator dhe pronar të 31.4% të aksioneve Shefqet Dizdarin. Edhe pse debitore ndaj Albpetrol për dhënien e kontributit në natyrë për naftën që nxirrte nga fusha e Visokës, kompania TransOil Group fiton tenderin.
Shefqet Dizdari bëhet ortak në shkurt të vitit 2019 me Charles McGonigal, Agron Nezën dhe Mark Thomas Rossini në kompaninë ‘Lawoffice & Investigation’.
Në të gjithë këtë histori, i vetmi argument që dha kryeministri gjatë daljes ditën e enjte ishte fakti se procedura e dhënies së puseve është bërë me garë, por pa dhënë përgjigje se përse një vit përpara tenderit Albpetrol kishte nisur negociatat pa tender me një kompani tjetër dhe në mes të konsensusit për marrëveshje, letrat grisen dhe hapet një tender? Kush ka prevaluar këtu parimi i garës së hapur apo porosive me dyer të mbyllura?
- Po ashtu kryeministri nuk sqaroi se përse gara u fitua nga një kompani që ishte debitore ndaj kompanisë shtetërore Albpetrol në dhënien e naftës bruto që nxirrte nga nëntoka shqiptare, e në vend që ndaj saj të merreshin masa për vjeljen e pasurisë publike ndodh e kundërta, i jepen dhe 3 zona të tjera?
Përse kryeministri nuk sqaron se nga 9 firma që morrën pjesë në garë, tenderi u fitua nga kompania për të cilën kishin interesa të lidhur personat A dhe B, Agron Neza dhe Dorian Duçka?
Në të gjithë këtë histori nuk ka shumë rëndësi se si ka qënë procedura me garë të hapur apo të mbyllur, pasi pasuri të shumta sot po i jepen të huajve edhe pa një garë formale. Pak rëndësi ka nëse është respektuar apo jo ligji, pasi kreu i mazhorancës i ka dhe kushtet dhe votat për të bërë ligjet ashtu siç i do puna.
Këtu rëndësi ka se kush e mbron interesin e shqiptarëve dhe pasurive të tyre, SHBA dhe FBI apo zyrtarët që votohen për këtë detyrë?
Sot jemi në gjendjen që ishim 1 dekadë më parë: vend me burime të shumta nafte por importues të saj dhe me çmime edhe më të shtrenjta se atëherë. Kompania shtetërore e prodhimit të naftës Albpetrol e cila ka marrëveshjet hidrokabure për zonat naftëmbajtëse rezulton me humbje financiare, humbjet e akumuluara arritën në 55 milion euro në fund të vitit 2021, ndërsa raportet financiare të saj janë të pabesueshme dhe audituesit e pasqyrave financiare shprehin Opininon me Rezervë.