‘I riu po mbahet në Komisariat në gjendje të rëndë shëndetësore’?/ Reagon policia

Policia e Tiranës ka mohuar lajmet që kanë qarkulluar në disa media se një i ri, i arrestuar gjatë protestës, po mbahet në Komisariat në gjendje të rëndë shëndetësore.

Referuar njoftimit zyrtar, i riu A.B., 20 vjeç, i arrestuar me datë 11.12.2020, ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe këtë e konfirmon dhe mjeku.

Reagimi i policisë

“Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale se shtetasi me iniciale A.B., 20 vjeç, është në gjendje të rëndë shëndetësore në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.1 ju sqarojmë se: Shtetasi A.B., 20 vjeç, i arrestuar me datë 11.12.2020, për veprat penale ““Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’ ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, kjo e konfirmuar para pak minutash nga mjeku i DVP Tiranë si dhe në prezencë të dy përfaqësuesve të avokatit të popullit.

DVP Tiranë kërkon mirëkuptimin e medias që të mos publikojnë lajme të pakonfirmuara dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve”, shkruan Policia./korrieri.al

Author: admin