Të dhënat zyrtare larg situatës reale/ Më pak se 2 për qind e popullsisë e prekur me Covid-19

160

Edhe pse jemi në muajin e 10-të të pandemisë, të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm 1.6 për qind e popullatës është infektuar nga COVID-19.

Një shifër kjo e ulët në raport me pritshmëritë, por edhe situatën reale. Megjithëse, siç kanë pohuar edhe ekspertët, jemi ende larg imunitetit të tufës, sërish shkalla e infeksionit nuk është ajo e paraqitur përmes shifrave zyrtare. Këto të dhëna sot e bëjnë edhe më prezent shqetësimin e kahershëm për nivelin e ulët të tamponëve. Përfshirja e testeve të shpejta të antigjenit duket se nuk është reflektuar në rritjen e numrit të testimeve. Kështu, të mërkurën janë kryer vetëm 2620 teste, nga të cilat kanë rezultuar të infektuar 752 persona. Aktualisht në të gjithë vendin janë mbi 21 mijë të infektuar aktivë, ndërsa që prej fillimit të pandemisë, numri i personave të konfirmuar pozitivë është 45.188.

RASTET

“Janë kryer 2620 testime, duke përfshirë këtu edhe testet e shpejta që kanë nisur të përdoren në 24 orët e fundit dhe kanë rezultuar pozitivë 752 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 241 raste në Tiranë, 77 raste në Shkodër, 57 raste në Vlorë, 36 raste në Lushnjë, 32 raste në Gjirokastër, 31 raste në Kuçovë, 29 raste në Berat, 28 raste në Sarandë, 24 raste në Lezhë, 21 raste në Krujë, 19 raste në Durrës, 15 raste në Fier dhe në Mat, 14 raste në Mirditë dhe Tepelenë, 12 raste në Korçë, 11 raste në Pukë dhe Kolonjë, 10 raste në Pogradec, 9 raste në Dibër, 8 raste në Mallakastër, 7 raste në Kukës, 6 raste në Malësi e Madhe dhe Gramsh, 5 raste në Kavajë, 4 raste në Devoll dhe Përmet, 3 raste në Delvinë, 2 në Librazhd, 1 raste në Elbasan”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë vijon të rëndohet bilanci i viktimave si pasojë e COVID-19. Të mërkurën janë raportuar 15 humbje jete, teksa numri i viktimave që prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 951. “Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 15 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: 7 qytetarë nga Tirana, 3 qytetarë nga Durrësi, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Skrapari, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Elbasani, të moshave 55-88 vjeç”, thuhet në njoftim. COVID-19 i ka marrë jetën edhe mjekut neurolog të QSUT, Drini Dobi. Ai ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në një spital në Itali, ku ishte dërguar për kujdes të specializuar. Por, pavarësisht përpjekjeve, doktori nuk ja ka dalë të fitojë këtë betejë.

NË SPITAL

Sa i takon situatës në spital, pavarësisht shtimit të rasteve të reja, nuk ka pasur rritje të numrit të pacientëve. “Numri i të shtruarve në spitale është i qëndrueshëm. Aktualisht në 4 spitalet COVID po trajtohen 454 pacientë, 39 në terapi intensive, 13 pacientë janë të intubuar”. Zv.ministrja e Shëndetësisë, njëherazi kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, tha gjatë komunikimit me mediat, se kjo javë do të jetë vendimtare për vijimësinë e masave nëse do të shtyhen apo do të ashpërsohen edhe më tej. “Do të na duhet një javë tjetër për të parë a do të vazhdojë kjo qëndrueshmëri dhe në bazë të vlerave që do të kemi këtë javë do të gjykohet nëse do të ngelemi në nivelin e këtyre masave apo do të ketë nevojë për masa të tjera. Është një javë e rëndësishme në vlerësimin epidemiologjik të situatës”.