“Policia sot nuk krahasohet me atë në kohën e PD”, ministrja Gjonaj: Vrasja e të riut e veçuar, efektivi veprim personal, t’ia lëmë drejtësisë

181

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka folur sot për situatën në vend, vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, protestat dhe dhunën. E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Gjonaj teksa i shprehu ngushëllimet familjes së të riut, tha se ngjarja është shumë e rëndë, por se janë veprime të veçuara dhe personale të një efektivi.

Ajo theksoi se nuk është një rast që ka ndodhur me një urdhër politik duke e krahasuar me 21 janarin apo Gërdecin. Gjonaj kërkoi që çështja t’i lihet drejtësisë për ta hetuar dhe dhënë drejtësi për këtë krim.

Sipas saj, policia sot nuk krahasohet me atë në kohën e Partisë Demokratike.
“Jemi në një situatë paprecedentë. Jeta e humbur e një të riu është një ngjarje shumë e rëndë aq më tepër kur ka ardhur si pasojë e veprimeve të një efektivi të policisë. Dua të shpreh keqardhjen dhe solidarizohem me dhimbjen e madhe të familjes, por nga ana tjetër është një ngjarje e veçuar. Efektivi i policisë ka kryer një veprim personal. Ndodhet në masën e arrestit me burg dhe duhet tua lëmë organeve të drejtësisë të hetojnë. Dua të theksoj se është një ngjarje tërësisht sporadike, tërësisht e veçuar dhe në asnjë rast nuk ka ndodhur me një urdhër politik, ndryshe nga ajo që ka ndodhur disa vite më parë në bulevard kur urdhrat politikë jepeshin nga partia në pushtet apo PD, apo dhjetëra jetë të humbura në rastin e Gërdecit. Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me policinë në kohën e PD. Sot sjellja e efektivëve të policisë ka një ndryshim thelbësor me sjelljen e efektivëve në kohën e PD-së. Ata sjellin rezultate në përballjen e Shqipërisë me krimin. Shqipëria ka dalë nga harta e kultivimit të drogës. Faktet janë kokëforta dhe nuk meritojnë krahasim me policinë në kohën e PD-së. Ka shumë aspekte që duhen përmirësuar por krahasimi është i pavend. Nëse do e shohim si rast sporadik, duhet të kuptojmë që nuk përfaqëson frymën e Policisë Shqiptare. Të gjithë djemtë e vajzat meritojnë një respekt për punën e tyre në përballje me krimin, por dhe në situata të pazakonta siç ka qenë tërmeti apo dhe në kohën e pandemisë”, deklaroi ministrja Gjonaj.

Ajo u ndal dhe tek dorëheqja e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, duke e cilësuar një veprim nga përgjegjësia morale dhe jo ligjore.
“Përtej fakti që Ministri i Brendshëm nuk ka përgjegjësi ligjore, dhe nuk ka një urdhër politik por pavarësisht se nuk kishte përgjegjësi ligjore ndjeu përgjegjësi morale për të dhënë dorëheqjen. Ndryshe nga ministri i Brendshëm i PD që u bë kryetar bashkie dhe kryetar i partisë. Kjo jep ndryshimin mes neve dhe atyre”, u shpreh Gjonaj.

Ministrja tha se protesta i shërben demokracisë së një vendi dhe se janë të ligjshme, por jo kur janë të dhunshme. Irritimi sipas saj, nuk mund të justifikojë dhunën.
“Nëse ka një forcë politike që i ka mirëpritur protestat ka qenë PS. Kanë ndodhur shumë protesta, që nga ajo e armëve kimike, ajo e studentëve. Dhanë argumentet e tyre dhe qeveria reflektoi. Protestat janë të ligjshme por kur nuk janë të dhunshme. Me shumë të drejtë kjo jo vetëm revolton qytetarët kur kthehen të dhunshme kur shkatërrojnë e sjellin dëme në pronën publike. Në 30 vjet pluralizëm nuk ka ndodhur që të goditen selitë e një force politike. Për herë të parë po ndodh. Nuk mund të justifikojë irritimi dhunën. Ky shqetësim u përcoll dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Me shumë respekt përcollën lidhur me faktin që dënonin protestat e dhunshme”, tha Gjonaj.

Sa i përket deklaratës së ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim për vrasjen e 25-vjeccarit, Gjonaj tha se hetimin nuk e ka pushteti, janë organet e drejtësisë.
“Kemi institucione të pavarura të drejtësisë të cilat duhet të hetojnë rrethanat e çështjet për të kuptuar veprimet që janë kryer nga efektivi i policisë”, u shpreh ajo.