Patriotat e rremë

244

NGA  ALFONS GRISHAJ

Patriotat e rremë

Në pragun e Vjetorit të zgjimit
dolën do cfurqe e kosa me kositë
lavdinë e t’parve ditën e ngadhnjimit…
t’ verbuem pa dert se kan me u koritë.

Ma keq xhepi i Vatrës prej heqimave…
dhe ma përdreq sherri i futun n’ sheriatë,
sorrat e “bardha” frymzu prej krymave…
kurvaburrash, piratni shkërdhatë.

Dalin… vrrasin: “Na jena e vërteta!”
fallsifikojnë lavdinë e Diellit…
pa pikën e turpit dhe Stemën shkreta
tue u ba “rriqna t’pista” e bijtë e djallit!

Kur kthej kryet mrapa me pa kush ishin…
për ndonji më dhemb shpirti e zemra,
por kur i miri ha n’ nji tas me pisin…
Le ta ndajnë baglën qi u’ shkel themra!

 

*

Më pëlqen me e mbajtë fjalën

Më pëlqen me e mbajtë fjalën
edhe kur nuk ka ma kuptim…
edhe kur shkelin dhe e shesin
e kandili i Diogjenit tund kryet varun n’ ferrën e nji honi
tuej përkund djepin e metamorfozës,
si dallgë tërmeti, jo si mirësi e shpresë zbulimi,
por si rob i tmerrit kataklizmor.

Më pëlqen me e mbajtë fjalën,
gur i randë qi ngriti dhe shembi kshtjella,
qi mbjelli e rrënoi ura,
qi naltoi heroj e la gra t’ veja,
e fali dashni sublime si Romeo e Xhulieta…

Më pëlqen me e mbajtë fjalën,
dhe në ndrrimin e stinve
dhe kur gjethet zverdhen n’ tjetërsimin stinor
mos me fluturue ma n’ puhizë
por me u tokzue si trupi i njirit mas mortit.

Më pëlqen me e mbajtë fjalën,
diferencë mes njeriut dhe kafshës
burrit dhe t’ paburrit
t’ mirit dhe llumit
krundes dhe grunit.

Më pëlqen me luftue për fjalën,
amaneti i t’parve…
ozon dhe bosht i jetës
tregues i rrenës e i të vërtetës.

Kujdesi selektiv

Gjithë jetën jam marr me shpirtnat “satelitë” …
Po jo me t’ gjallët qi prej kohësh kan vdekë,
Shëmtia e laramanve nuk bahet kurr elitë’ …
Gjallesat pa shpirt s’ kanë Sh. Pjetër e Mekë!

Bjen kumona

Bjen kumona për nji tjetër mort!
E keqja e madhe ende s’ ka mbrri…
Miq, t’ lutemi mos me na ra short
Zemrimi i qiellit me na zhbi!

Burimi: SOT NE DIELLI