Berzat Hasa u lind në fshatin Vilë të Kukësit me 16.02.1959. Sapo mbaroi shkollën 8-vjeçare në moshën e adoleshencës, ndjeu mbi shpatulla pasojat e luftës së klasave. Nuk ju dha asnjë e drejtë studimi siç jepej në atë kohë. Punoi në ndërmarrje të ndryshme industriale me profesion bazë mekanik e ndërkohë përfundoi shkollën e mesme mekanike pa shkëputje nga puna, që ndryshe quhej shkollë e natës. Me ardhjen e pluralizmit i dha impuls hobit të tij letrar, ku botoi edhe një libër me poezi të titulluar “Zogu i dimrit” në vitin 2000. Duke shfrytëzuar po këtë hobi, për më shumë se dhjetë vjet ka punuar si gazetar në median e shkruar dhe vizive, ku vlen të përmenden kontributi i tij në TV Klan 2 vjet dhe Top Channel 6 vjet.
E KEMI LODHUR…
Shumë e kemi lodhur dashurinë
me pa përsosmërinë tonë
Ne…
që të dy,
u lodhëm duke e lodhur atë!
Por ajo s’u lodh kurrë,
duroi ,
duroi…
mbajti për tre dekada!
Se dashuria…
gurrë!
Se dashuria mban çdo gjë
Na mban,
na jep fuqi…
na len te dashuruar…!
Si ditën e pare…
unë dhe ti.
Perëndia dhe ne
Sepse
Perëndia është DASHURI
JO MË LARG…
Kam provuar të rri larg
nuk kam qëndruar dot’…
Të gjitha netët e mërgimit
në prag të shtëpisë i kam kaluar
Si hajdut i regjur
kam qëndruar pas dritares
Ndonëse isha larg…
shumë larg!
Ndaj as në ëndërr
veten mërgimtar nuk e shoh…!
Unë më larg shtëpie …
ku e huaj më duket edhe drita e hënës?!!
I lidhur do të rri
pas pragut të derës
si fëmijë i pandarë pas sisës së nënës…
PËRSE E AKUZOJNË…
Dashuria ime…
Jo ngarkesë
por mbartësja e ngarkesave të mija
Jo mosmarrëveshje…
por oaza i harmonisë,
Jo shqetësim…
por qetësia ime mendore
Jo brengë…
por limani i shpirtit tim!
Dashuria ime…
Jo hon
por mal që më mbushi hendeqet
Jo mëkat…
por DET
ku ne hodhëm mëkatet tona
për të mos i gjetur më kurrë
VËRSHËLLIMA IME!
Vërshëllima ime
këngë që shkatërron mërzinë,
serenata që zbon vetminë…
vërshëllima ime…
si tinguj çiftelie
vajton momentin
“Divorc Dashurie”
Vërshëllima ime…
gjithsesi ngjan me një këngë
që bie dhe ngrihet
mbi hapat e mi të rëndë
EKZOD!
Si dimër pas dimri
Kjo pranverë,
si një vjeshtë e tretë,
pa behar!
Ikje… ikje…
Vetëm ikje
pa kthim!
Një stuhi e padukshme
ma zhvesh,
ma shkund pemën time,
ma vetmon!
vetëm një zog i vetmuar majë një peme!
Nuk ka zogj që dashurohen!
zemra time
që s’bën dot’ fole për ta!
Mbetem… dashuruar pas zogut të dimrit!
Ai!
Vetëm ai nuk ikë kurrë!
Është mësuar me dimra të tillë,
është djegur vetë nga vetmit…!
Ndaj,
nuk e lë pa cicërima pemën time…
Gurrë!
Përgatiti Vera ISTREFAJ
Kryetare e LIdhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve
Dega Kukës