‘’Akuza të pabaza’’, Varhelyi: Kam besim të plotë tek Calavera dhe Soreca, Reforma në Drejtësi dhe Vettingu s’mund të ‘dalin nga shinat’ apo ngadalësohen

134

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi i ka dalë në mbrojtje shefes së ONM dhe ambasadorit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

Varhelyi thotë se akuzat ndaj Calaveras janë të pabaza dhe ai i shpreh publikisht besimin e plotë asaj dhe ambasadorit.

Më tej Varhelyi garanton se Reforma në Drejtësi dhe Vettingu s’mund të ndalohen apo ngadalësohen pavarësisht presionit.

Ditët e fundit Genoveva Ruiz Calavera është akuzuar nga disa media, por edhe ish-kryeministri Sali Berisha se i ka telefonuar Komisionit të Venecias me urdhër të Ramës, që mos shqyrtojë kërkesën e Presidentit Meta për opinion lidhur me ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

STATUSI NGA VARHELYI

Akuzat e fundit të pabaza në shtyp dhe media sociale janë plotësisht të papranueshme. Unë kam besim të plotë në stafin tim dhe qëndroj pranë Drejtorit tëBallkanit Perëndimor, Calavera dhe ambasadorit Soreca.

Më lejoni të theksoj gjithashtu: Reforma në drejtësi dhe vettingu i gjyqësorit në Shqipëri është absolutisht thelbësore dhe nuk mund të dalin nga shinat ose ngadalësohen, pavarësisht presionit.