Amerika dhe Europa po bëhen pjesë e konfliktit në Ukrainë. – Është ky reagimi i Rusisë ndaj vendimit të Perëndimit për të dërguar tanke të fuqishme beteje në ndihmë të ushtrisë së Kievit.
- “Kemi deklarata të vazhdueshme nga kryeqytetet europiane dhe Uashingtoni se dërgimi i sistemeve të ndryshme të armëve në Ukrainë, përfshirë tanket, nuk i përfshijnë në asnjë mënyrë këto vende të aleancës në konfliktin në Ukrainë. Ne në Moskë e kundërshtojmë kategorikisht këtë. Gjithçka që po bëjnë ato kryeqytete dhe ajo aleancë, ne i konsiderojmë si përfshirje të drejtpërdrejt në konflikt,” – u shpreh Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit
Ky reagim i drejtohet veçanërisht presidentit amerikan, Joe Biden, i cili shprehimisht tha se ndihmat ushtarake për Ukrainën nuk duhet të konsiderohen “një kërcënim” apo “ofensivë” kundër Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit nuk ishte zyrtari i vetëm në Moskë që i ra “gongut” paralajmërues të një lufte të madhe.
- “SHBA dhe NATO janë bërë palë në konfliktin në Ukrainë dhe synojnë të vazhdojnë të bëjnë përpjekje për ta zgjatur këtë konflikt ushtarak. Edhe me përfundimin e fazës së nxehtë të konfliktit në Ukrainë, bota anglo-saksone nuk do ta ndalë luftën e saj të fshehtë kundër Rusisë dhe aleatëve të saj,” deklaroi Nikolay Patrushev, sekretar i Këshillit të Sigurisë i Rusisë.
Ndërkohë, më herët presidenti rus, Vladimir Putin, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes lidhur me dërgimin e tankeve perëndimore në Ukrainë, por thumboi qeverinë e Berlinit dhe Europën duke thënë se në Gjermani gjenden ende trupat pushtuese amerikane.