Dëmtimi i digës Kakhovka ka çuar në përmbytjen e 29 fshatrave përgjatë lumit Dnipro. Për rrjedhojë, mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, teksa situata pritet të përkeqësohet në orët në vijim.
- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thotë se qindra mijëra njerëz kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrin për dëmtimin e digës. Zelensky e ka konsideruar si “ekocid”, nga ana tjetër, Vladimir Putin e quajti “sulm barbar”.
“Një nga katastrofat më të rëndësishme mjedisore në Evropë në dekadat e fundit”, është shprehur Zelensky.
“Katastrofë mjedisore dhe humanitare në shkallë të gjerë”, thotë Kremlini.
Zonat e prekura shtrihen nga Nova Kakhovka deri në afërsi të bregut të lumit Kosheva. Ukraina ka raportuar një gjendje të jashtëzakonshme, teksa mediat ruse raportojnë se disa persona janë të zhdukur.
- Ditën e sotme, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka folur me homologët e tij si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi dhe bëri thirrje për një hetim të përbashkët për të përcaktuar shkakun e thyerjes së digës Kakhovka. Ai bëri me dije se Turqia mund të krijojë një komision ndërkombëtar për ta kryer këtë hetim në bashkëpunim me OKB-në.
Ndalur në aspektin ushtarak, forcat ukrainase pretendojnë se kanë avancuar në “seksione të ndryshme të drejtimit Bakhmut”, mirëpo Rusia tha se i ka mposhtur sulmet ukrainase pranë qytetit, për të cilin është luftuar për muaj të tërë.