Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, në një mesazh të publikuar së fundmi, tha se bota është pranë Luftës së Tretë Botërore.
Por ish-presidenti tha se ai do e pastrojë vendin e tij nga luftënxitësit dhe globalistët e fundit në Amerikë.
“Për dekada, ne kemi pasur të njëjtët njerëz si (nënsekretarja aktuale e Shtetit për Çështjet Politike) Victoria Nuland dhe shumë njerëz të tjerë si ajo, të fiksuar me shtyrjen e Ukrainës drejt NATO-s, për të mos përmendur mbështetjen e Departamentit të Shtetit për kryengritjet në Ukrainë.
Këta njerëz kanë kërkuar konfrontim për një kohë të gjatë, njësoj si rasti në Irak dhe pjesë të tjera të botës. Dhe tani, ne jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore,” tha Trump.
Ish-presidenti tha se një administratë e ardhshme nën drejtimin e tij, do i jepte fund luftës në Ukrainë brenda një dite.
“Ne mund t’i japim fund konfliktit të Ukrainës në 24 orë me udhëheqjen e duhur. Në fund të katër viteve të mia të ardhshme, luftënxitësit, mashtruesit dhe dështimet në nivelet më të larta të qeverisë do të zhduken të gjithë,” tha ai.