Ish-presidenti i SHBA, Donald Trump, e ka quajtur presidentin Joe Biden një “armik të shtetit” në tubimin e tij të parë që kur agjentë të FBI-së bastisën rezidencën e tij në Florida.
Teksa ka folur me mijëra mbështetës në Wilkes-Barre, Pensilvani, ish-presidenti akuzoi zotin Biden se kishte kthyer FBI-në kundër tij.
“Bastisja ishte një nga abuzimet më tronditëse të pushtetit nga çdo administratë në historinë amerikane”, tha Trump.
Trump ndodhej në Pensilvani për të promovuar dy kandidatë republikanë. Dr Mehmet Oz që po kandidon për Senatin e SHBA dhe senatori i shtetit Doug Mastriano, i cili është në garë për t’u bërë guvernatori i ardhshëm i Pensilvanisë.
Trump, në pjesën e parë të fjalimit të tij gati dy orësh kritikoi kontrollin e FBI-së në rezidencën e tij, ndërsa më pas iu kthye temave të njohura
- Trump po hetohet për keqpërdorim të dokumenteve sekrete. Departamenti i Drejtësisë publikoi një variant të redaktuar të një dokumenti ku detajohen të dhënat mbi të cilat ishte justifikuar urdhri për kontrollin e FBI-së më 8 gusht në shtëpinë e tij në Florida.
Departamenti i Drejtësisë, ofroi disa detaje të reja mes së cilave fakti që 14 nga 15 kutitë me të dhëna të gjetura në Mar-a-Lago në fillim të këtij viti përmbanin 184 dokumente të klasifikuara, disa prej të cilave tepër sekret.