Në kuadrin e veprimtarive kushtuar librit, Biblioteka Publike Durrës, në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve dega Durrës, organizoi takimin kushtuar poetes durrsake Trandafile Molla (Baja).
Në takimin e moderuar nga bibliografja Teuta Dhima u përurua trilogjia poetike e autores, që këto vepra ia dedikon qytetit të saj, Durrësit.
Para gjithë të pranishmëve u prezantuan vëllimet me poezi: “Më thërret një zë”, “Larg teje nuk jam” dhe “Dielli i zjarrtë i syve të mi”.
Gjatë takimit letrar referuan mbi veprën e Trëndafile Mollës shkrimtari Shpendi Topollaj, redaktorët dhe recensentët e librave, Qazim Shehu. Faik Xhani, profesor Hamdi Hysuka dhe poetja Merita Kuci.
Në takim, Migena Xhaferri dhe Frosina Bardhi, interpretuan për pjesëmarrësit, poezi nga tre vëllimet, ndërsa këngëtarja e vogël Violeta Beshiri, pershëndeti poeten me këngën “Ëndërr”.
Dhe vërtet, ashtu siç u shpreh edhe vetë poetja, ky takim në qytetin e saj të dashur, në sallën e Teatrit ku ajo ka recituar që në moshë të re, ishte për të një ëndërr e cila u bë realitet.
Aktivitetin e përshendeti edhe Kryetarja e Lidhjes se Shkrimtarëve të degës Kukës, poetja Vera Istrefaj
Në fjalën e saj përshëndetëse, autorja falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe u shpreh se nuk do të rreshtë kurrë së shkruari për Durrësin, pasi ajo është bijë e këtij qyteti dhe ndihet më shumë se kurrë pjesë e tij, edhe pse jeta e ka çuar të jetojë larg tij.
Shoqata “Durrësi Autokton” i akordoi poetes Trandafile Molla, titullin “Mirënjohja e Qytetit” me motivacion:
“I jepet zj. Trandafile Molla (Baja) për kontributin e saj në fushën e letrave si dhe ndihmesën e dhënë në plotēsimin e Bibliotekës së Shoqatës me veprat e saj”
Ndërkohë, nga Organizata e Veteranëve iu akordua titulli: “Anëtare Nderi e Organizatës”.
Pjesë e këtij takimi ishin përfaqësues të shoqatave të ndryshme të qytetit, personalitete, përfaqësues të shoqatave, njerëz të artit etj.
Trandafile Molla (Baja)
Trandafile Molla ( Baja) është pjesëmarrëse në më shumë se 30 antologji si brenda kufijve të Shqipërisë dhe jashtë tyre. Vëllimet e fundit me poezi sipas rradhës janë vëllimi i VII, VIII, IX. Në vitin 2020 është pranuar si anëtare e LSHASHI në Itali dhe në dhjetor 2020, është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Korresp . “Jehona.Info”