Tirana do të presë në stadiumin “Air Albania” skuadrën e Dinamo Batumit sot duke nisur nga ora 20:00. Bardheblutë do të synojnë që të marrin maksimumin në një ndeshje delikate, teksa synon kalimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës.
Gjatë javës, kompanitë e basteve kanë favorizuar si fituese skuadrën e Dinamo Batumit, por si duket mundësitë kanë ndryshuar së fundmi. “Flashscore” i ka dhënë koeficientin 2.25 Tiranës, nga 2.80 që e ka pasur më parë.
Ndërkohë, Dinamo Batumi vlerësohet me koeficientin 3.10, nga 2.38 që ishte më parë. Barazimi ka mbetur i pandryshuar dhe është vlerësuar me koeficientin 3.10.
- Deri mbrëmë ishin shitur rreth 3800 bileta për këtë sfidë, ndërsa deri sot në mbrëmje numri i biletave mund të shtohet.
FORMACIONI – Tashmë është pothuajse e mbyllur skuadra që do të luajë ndaj Dinamos. Hoxhallari do të jetë titullar. Pjesa tjetër e mbrojtjes është e përbërë nga Doka, Najdovski dhe Mici. Në mesfushë është dilema e madhe. Dy janë lojtarët, të cilët janë titullarë të padiskutueshëm, Deliu dhe Hila. Nga ana tjetër, Jonuzi do të jetë futbollisti i tretë që do t’u bashkohet në këtë repart me fanellën e titullarit.
Edhe në sulm do të ketë shumë lëvizje. Braziliani Kaina qëndron në stol, ndërsa nga ana tjetër titullarë do të jenë një treshe fantastike. Bëhet fjalë për Abazajn, Hasanin dhe Latifin. Të tre do të luajnë nga minuta e parë me Abazajn, që mund të jetë qendërsulmues. Pjesa tjetër e skuadrës do të qëndrojë në stol, të gatshëm për sfidën me Dinamon.