Tensionohet situata dhe nisin arrestimet nga policia. Protestuesit përplasen me policinë. Ata kanë shtuar radhët për t’i bërë ballë policisë. Kjo e fundit gjithashtu ka zbritur më e fortë në terren. Kanë mbërritur dhe forca të FNSH-së me kundragaz.
Protesta kundër rritjes së çmimeve ka paralizuar kryeqytetin mbrëmjen e sotme. Rrugët e Tiranës janë mbushur me qytetarët që iu kanë bërë thirrje dhe të tjerëve t’iu bashkohen.
Protesta është përhapur në të gjithë kryeqytetin. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se qytetarët kanë bllokuar të dyja anët e Unazës së Vjetër. Disa janë ulur në tokë dhe kërkojnë uljen e çmimit të karburanteve.
Protestuesit iu kanë bërë thirrje shoferëve të fikin makinat dhe t’iu bashkohen në protestë për rritjen e çmimeve.
Gazetari Erjon Skëndaj tha se një grup është nisur drejt Zogut të Zi për të bllokuar dhe atje qarkullimin. Një pjesë e protestuesve kanë shkuar tek drejtoria e Policisë. Policia ndërkohë ka ndërhyrë duke kërkuar lirimin e rrugës dhe disa protestues që ishin ulur këmbëkryq janë larguar me forcë. Një grup protestuesish ka vijuar protestën në hyrje të Myslym Shyrit./Shqiperia ime.com.al