Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka hedhur akuza ndaj qeverisë sa i përket rritjes së çmimit të karburanteve. Bordi i Transparencës publikoi sot ndryshimet e fundit në çmime ku nafta u rrit me 12 lekë e ndërsa gazi me 4 lekë, shifra këto që kanë nxitur reagimin e deputetit ku thotë se kjo qeveri po vjedh shqiptarët.
Të vetmit që po humbasin nga këto ndryshime janë qytetarët e ndershëm vijon më tej Sula ku thotë se fitimet shkojnë në xhepat e pushtetarëve dhe oligarkëve.
- ‘Qeveria me dy fytyra që vjedh shqiptarët! Në dy javët e kaluara çmimi i karburantit në tregun ndërkombëtar, në bursë shënoi një rënie të theksuar duke shkuar në nivelet e para luftës në Ukrainë. Por bordi i vjedhjes së shqiptarëve nuk e çoi për asnjë ditë çmimin e naftës me pakicë nën 2200 lekë të vjetër për litër naftë. Nuk mblidheshin por edhe kur mblidheshin bënin ulje qesharake me 10 lek të vjetër.
Ndërkohë ministrja e financave në mënyrë të vazhdueshme i ka dalë në mbrojtje interesit të oligarkëve dhe akuzonte ekonomistët, ekspertët e hidrokarbureve, neve përfaqësuesve të popullit se ngatërronim çmimin në bursë të naftës së përpunuar me atë të papërpunuar. Të gjithë ekspertët, ekonomistët, politikanët e tjerë që kërkonin uljen e çmimit të naftës si reflektim i bursës, ishin injorantë vetëm qeveria ishte “gjeniu” që bënte përllogaritje të sakta.
Por përkundër argumentit të ministres del sërish Bordi i vjedhjes së qytetarëve. Dy ditët e fundit i njëjti burim që të cilit i jemi referuar kur është ulur çmimi në bursë, ka treguar një rritje të lehtë të çmimit. Por këtë herë Bordi nuk bëri sikur nuk e pa, por u mblodh sot dhe nuk bëri rritje njësoj siç e ulte me 10 lek të vjetër, por e rriti me 120 lekë të vjetër. Çmimi i naftës sot në pikat me pakicë shitet me 2390 lekë të vjetër për litër nga 2270 lekë për litër që shitej pak ditë më parë.
Kjo është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve. Është absurditet që do tu kthehet në bumerang të pangopurve të qeverisë dhe oligarkëve. Duke rritur çmimin, qeveria mbush arkat e shtetit për të mbyllur gropat evazive, njëkohësisht fitojnë edhe oligarkët e naftës me përqindjen e marzhit të fitimit. Të vetmit që humbasin janë shqiptarët. Qytetarët e ndershëm që jetojnë me djersën e ballit. Ndaj ne shohim çdo ditë e më shumë shqiptar që largohen nga ky vend. Në fakt nuk duhet të ikin shqiptarët, duhet të largohen dhe të vendosen para drejtësisë ata që vjedhin dhe që abuzojnë.’- shkruan Sula.
- Kujtojmë se Bordi i Transparencës u mblodh dhe vendosi çmimet e reja deri në njoftimin pasardhës. Nafta do të shitet me 239 lekë/litri nga 227 litër që ishte më parë. Benzina do të shitet 4 lekë më shtrenjtë, nga 201 lekë/litri, shkon në 205 lekë/litri. Ndërsa çmimi i gazit mbetet 78 lekë/litri.