Që nga themelimi i Kongregatës për Ungjillizimin e Popujve në vitin 1622 në Vatikan, janë ruajtur dokumente origjinale për trojet etnike shqiptare, në fonde të ndryshme, në shumë vëllime, të cilat përmbajnë të dhëna me interes të jashtëzakonshëm për të gjitha aspektet e jetës së popujve të gadishullit Ballkanik në përgjithësi, ndërsa në veçanti për popullin shqiptar. Kësaj radhe, botojmë në mënyrë përmbledhëse përmbajtjen e 11 dokumenteve të cilat paraqesin segmente të ndryshme të aspekteve të jetës së shqiptarëve. Botimi i këtyre njëmbëdhjetë dokumenteve nga Arkivi i Kongregatës për Ungjillizimin e Popujve, e njohur ndryshe edhe si “de Propaganda Fide,” për periudhën kohore prej 7 janarit 1645 – 2 janar 1653, [nga këto vite, ne kemi edhe 398 dokumente tjerë të nxjerrë po nga ky arkiv, të cilat nuk janë botuar deri me sot] është vetëm një dëshirë për të tërhequr vëmendjen e institucioneve dhe studiuesve shqiptarë për numrin e madh dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ky arkiv, jo vetëm për shekullin XVII, por edhe për shekujt në vijim. Është e vërtetë se janë botuar seri dokumentesh e dorëshkrimesh nga ky arkiv, por, në fakt, kanë mbetur edhe shumë të tjerë, me vlera të paçmuara, të pabotuara dhe të panjohura. Studimet sistematike në këtë arkiv janë më se të domosdoshme. Përgatitja e një apo disa katalogjeve paraprake për lehtësim të punëve të studiuesve është një domosdoshmëri urgjente. [Në këtë drejtim ka punuar deri diku don Gjergj Gjergji – Gashi, por, katalogu që ne kemi konsultuar në: Archivio de Propaganda Fide, në sallën e studimeve, është mjaft i komplikuar dhe nuk u përmbahet metodave kritike bashkëkohore të punëve të tilla të specializuara. Megjithatë, si punë fillestare është për t’u lavdëruar].
Shtrirja kohore dhe territoriale, ka qenë pikënisje për ne për të botuar këto dokumente, duke përfshirë disa ipeshkvi, famulli dhe territore mjaft aktuale për kohën. Regestat që shoqërojnë çdo dokument veç e veç, paraqesin idenë themelore, përkatësisht qëllimin e shkrimit të dokumentit duke dhënë një ide për përmbajtjen e tij. Toponimet dhe mikro-toponimet i kemi shqipëruar kur kemi qenë të sigurt, në raste të tjera i kemi lënë në origjinal. Kemi ndjekur kriterin kronologjik të dokumenteve, pa marrë parasysh se ato ndodhen në fonde të ndryshme dhe vëllime të ndryshme. Për të gjithë kryeipeshkvët dhe ipeshkvët kemi shënuar vitet e emërimit të tyre dhe kohën kur janë transferuar në detyrë tjetër apo kanë vdekur. Përveç literaturës brenda studimit, kemi konsultuar edhe një literaturë mjaft të gjerë, duke krahasuar ngjarjet, personat për të cilët bën fjalë dokumenti si dhe besueshmërinë e dokumentit. Shpresojmë që në një të ardhme të afërt, të editojmë vëllimin e parë me dokumente të nxjerra nga Achivio de Propaganda Fide, [gjatë kërkimeve tona disa-vjeçare, kemi vjelë material dokumentar burimor për disa vëllime në vijim, që do të ishte mjaft e dobishme të botoheshin si një seri e veçantë!] kështu që këtu nuk po bëjmë një paraqitje, analizë historike – sintezë të gjithë historisë së shekullit XVII, duke u mbështetur në këto burime të pabotuara.
Dokumenti i parë është lëshuar në Pashtorviq, më 7 janar 1645, origjinali ndodhet në: APF. SOCG, vëll. 172, f. 310r, 317v). Përmbatja e tij është: At Gioseppe Maria Buonaldi i shkruan Kolegjit për Ungjillizimin e Popujve [Collegium de Propaganda Fide] në emër të banorëve të Pashtrikut dhe të Shkodrës. Ata janë të shqetësuar nga propozimi që është bërë për të bashkuar ipeshkvinë e Shkodrës [ipeshkv i Shkodrës ishte Françesk Kruta, 10. IX. 1640-10. III. 1645] me kryeipeshkvinë e Tivarit. Zëdhënësi i tyre, dhe shkruesi i kësaj letre, at Gioseppe Maria Buonaldi, shprehet se nëse ipeshkvia e Shkodrës bashkohet me kryipeshkvinë e Tivarit, ata nuk do të kenë një bari të tyrin për të përballuar luftën e rrezikshme dhe vështirësitë e tjera të shkaktuara nga turqit. Nëse do të ndodhë kështu, d.m.th. ipeshkvia e Shkodrës do të bashkohet me kryeipeshkvinë e Tivarit, [kryeipeshkv i Tivarit ishte Franciscus de Leonardis, nga Trogiri i Kroacisë, më 28. XI. 1644-1. XII. 1646] ata më mirë do të pranojnë që të vihen nën ipeshkvin /Vlladikën/ skizmatik, sepse kryeipeshkvia e Tivarit, me jurisdiksionin e saj shumë të gjerë, nuk do të mund të kujdeset për kishën e Pashtroviqit. Ata propozojnë që për ipeshkvinë e Drishtit [ipeshkv i Drishtit ishte Hieronymus Lucichius më 3. III. 1636-2. I. 1648] që ka 30 shtëpi, për ipeshkvinë e Shasit [ipeshkv i Shasit dhe i Shkodrës ishte Gregorius Frasina de Novarra më 10. IX. 1646-6. III. 1656] me 12 shtëpi, për ipeshkvinë e Ulqinit [ipeshkv i Ulqinit ishte Gregorius Frasina de Novarra më 10. IX. 1646-6. III. 1656] dhe për ipeshkvinë e Budvës, duke përfshirë edhe atë të Shkodrës, të kenë një ipeshkv të veçantë, të tyrin, që të kujdeset për ta. Dokumenti i dytë është lëshuar në Zarë, 15 janar 1645. Origjinali ruhet në: APF. SOCG, vëll. 126, f. 100r, 106v). Përmbajtja e shkurtër është: don Girolamo Mengo, dikur kapelan i “kombit shqiptar” i lutet Kolegjit për Ungjillizimin e Popujve për një benefic apostolik në kanonikatin e Zarës. Në këtë kërkesë, ai përmend vlerat e punës së tij si kapelan, dhe krenohet me rezultatet e punës së tij duke theksuar që gjatë shërbimit të tij, janë kthyer nga feja myslimane dhe ortodokse-greke në fenë katolike pesëdhjetë e gjashtë persona.
/Vlladikën/ skizmatik, sepse kryeipeshkvia e Tivarit, me jurisdiksionin e saj shumë të gjerë, nuk do të mund të kujdeset për kishën e Pashtroviqit. Ata propozojnë që për ipeshkvinë e Drishtit [ipeshkv i Drishtit ishte Hieronymus Lucichius më 3. III. 1636-2. I. 1648] që ka 30 shtëpi, për ipeshkvinë e Shasit [ipeshkv i Shasit dhe i Shkodrës ishte Gregorius Frasina de Novarra më 10. IX. 1646-6. III. 1656] me 12 shtëpi, për ipeshkvinë e Ulqinit [ipeshkv i Ulqinit ishte Gregorius Frasina de Novarra më 10. IX. 1646-6. III. 1656] dhe për ipeshkvinë e Budvës, duke përfshirë edhe atë të Shkodrës, të kenë një ipeshkv të veçantë, të tyrin, që të kujdeset për ta. Dokumenti i dytë është lëshuar në Zarë, 15 janar 1645. Origjinali ruhet në: APF. SOCG, vëll. 126, f. 100r, 106v). Përmbajtja e shkurtër është: don Girolamo Mengo, dikur kapelan i “kombit shqiptar” i lutet Kolegjit për Ungjillizimin e Popujve për një benefic apostolik në kanonikatin e Zarës. Në këtë kërkesë, ai përmend vlerat e punës së tij si kapelan, dhe krenohet me rezultatet e punës së tij duke theksuar që gjatë shërbimit të tij, janë kthyer nga feja myslimane dhe ortodokse-greke në fenë katolike
Dokumenti i tretë është shkruar diku në Shqipëri e Veriut, pa saktësuar vendin e saktë, më 10 korrik 1645. Origjinali ruhet në: APF. SOCG, vëll. 410, f. 162v, 173v). Përmbajtja e tij është: Në Shqipërinë e “poshtme,” popullsitë e quajtura Kuçi, Kelmendi, Gruda, Hoti, Kastrati, Shkreli, Pulti, Vilëza, të ndara në shumë famulli, kanë vetëm një prift të ri dhe shumë të paditur, i cili nuk dinte të shpengonte dhe mendohej se nuk dinte as të pagëzonte. Për këtë arsye, në këto territore të Shqipërisë shumë persona kanë rënë në skizmën serbe për shkak të mangësisë së priftërinjve katolikë. Shumica e katolikëve nuk ka se ku të rrëfehet, dhe as kush t’i pagëzojë fëmijët e tyre, kështu që ekziston rreziku që shumë të bien në skizmën e përmendur. Është e rëndësishme që të dërgohen priftërinj dhe mundësisht të dërgohet don Marku, prift shqiptar, nxënës i Kolegjit Ilirik, që tani ndodhet në Romë. Meqenëse Shqipëria është vend i varfër, është e rëndësishme që priftit t’i jepen me vete ndihma të mjaftueshme. Është mirë që të pajiset edhe me gjërat e e nevojshme si me kaliçe, rroba priftërie, si dhe me librat e domosdoshëm. Popullsia e atjeshme ka shumë nevojë për priftërinj, por për priftërinj të talentuar dhe të ndërgjegjshëm. Don Pietro di Marcigna, i cili ka qenë atje për ca kohë, mund të japë një ndihmë të mirë. Për gjërat e tjera kolegji mund të informohet nga ata që kanë qenë atje për një kohë të gjatë dhe e njohin mirë vendin. Dokumenti i katërt është lëshuar në vitin 1646. Në këtë dokument nuk është shënuar vendi e as data e muaji i lëshimit. Origjinali ruhet në: APF. SOCG, vëll. 414, f. 227r). Në të bëhet fjalë për: Ndihmë financiare nga Propaganda Fide për katolikët e Trepçës që janë nën jurisdiksionin e dioqezës së Tivarit. Në vazhdim flitet për varfëri të madhe të të krishterëve në këto zona si dhe për vuajtjet e shumta të tyre.
Dokumenti i pestë është lëshuar më 26 nëntor 1647. As në këtë dokument nuk është shënuar vendi i lëshimit. Origjinali ruhet në: APF. SOCG, vëll. 415, f. 77r, 86v). Në këtë dokument shkruhet për persekutimet që u bëhen të krishterëve nga turqit, dhe marrja e djemve për të të mbushur sarajet e turqve, sidomos nga Bosnja dhe Shqipëria. Vetëm nga Mostari, ku ka lindur Veziri i Madh, janë marrë 500 djem. Kongregatës për Ungjillizimin e Popujve i kërkohet që të mundësojë shkollimin e të rinjve në kolegjet e saj për të përgaditur priftërinj të rinj, me anë të të cilëve mendohet se është më lehtë t’u përballohej mizorive turke. Dokumenti i gjashtë është lëshuar më 1647. As në këtë dokument nuk është shënuar vendi, data e muaji i lëshimit të tij. Origjinali ruhet në: APF. SOCG, vëll. 220, f. 368r-373r [olim 204r-209r (344r-349r). Ky dokument është një relacion shumë i detajuar në të cilin don Gegë Mazreku, nipi i kryeipeshkvit të Tivarit [kryeipeshkv i Tivarit ishte Joseph Maria Bonaldus, nga Zara e Kroacisë, më 10. IX. 1646-14. VII. 1655] i shkruan Kongregatës për Ungjillizimin e Popujve për aktivitetin e tij. Ka mbaruar doktoratën për filozofi dhe për teologji dhe në vitin 1647 u dërgua si misionar në qytetin e Prizrenit, “kufijtë e të cilit arrijnë deri në kufi me Maqedoninë dhe me Shqipërinë”. Në relacionin e tij, Gegë Mazreku shkruan për gjendjen e kishës katolike në këtë qytet dhe në rrethinat e tij. Në qytet janë 24 shtëpi të krishtera.
Nga rrethinat përmend Suharekën, e cila ka 100 shtëpi të krishtera; Studençanin që ka një shtëpi të krishterë; Mamushën, ku gjenden vetëm dy gra të krishtera; Soçishtën, që ka vetëm dy shtëpi të krishtera; Ostrozhubin që ka pasur 200 shtëpi të krishtera, por që të gjithë janë kthyer në myslimanë; Landovicën me katër shtëpi të krishtera; dhe Veleshtën që ka 2 shtëpi të krishtera, njëra prej të cilave i ka të gjithë pjesëtarët të krishterë, ndërsa tjetra ka vetëm gratë të krishtera, sepse burrat janë bërë myslimanë. Në shtëpitë me pjesëtarë të përzier, prifti thirret fshehtas për rrëfim, dhe për këtë shkak Gegë Mazreku kërkon leje që të mund të shërbejë në këtë mënyrë. Gegë Mazreku tregon edhe për zakonet që hasen në vend, gjëra që janë me vlerë të jashtëzakonshme për antropologjinë historike. Kështu ai tregon për zakonin që vajzat dhe gratë e reja shkojnë vetëm një herë në vit për meshë në kishë. Një tjetër zakon është që kur dikush ka dhimbje (syri, koke, këmbe etj.) shkon tek një arixheshkë (zingare) ose tek një turke që hapin letrat e tyre dhe i fryjnë të sëmurit në vendin që i dhemb, duke thënë edhe disa fjalë. Një tjetër zakon është që kur vdes dikush, ziejnë grurë me arra, [Mos vallë ky zakon ka diçka të ngjashme me “të shtunën e të vdekurve” që mbajnë sot e kësaj dite ortodoksët? Sipas Plasarit, gatuhet grurë i zier me arra e rrush të thatë.
Shih Aurel Plasari. Rrëmbimi i Europës, Tri Esse. Tiranë: Shtëpia Botuese 55, 2005, f. 100] me piper dhe me gjëra të tjera dhe e sjellin te varri ku e mbajnë para altarit bashkë me verën derisa të varrosin të vdekurin. Pastaj ua japin atë atyre që kanë ndihmuar për të varrosur të vdekurin, grave skizmatike, dhe arixheshkave të cilat ulen sipas zakoneve të turqve në kishë. Së pari i jepet priftit që të bekojë ato shpirtra. Pasi kanë ngrënë e pirë e janë dehur, fillojnë të qajnë, kush të vdekurin e kush të afërmin, dhe në fund bëhet një “muzikë ferri”. Gegë Mazreku e ka hequr këtë zakon nga kishat katolike që ai mbikqyr. Një tjetër zakon është që kur dikush është me ethe, ose me sëmundje toke, shkojnë për të gjetur një gur të madh mbi varrin e dikuj, dhe e ngrenë atë gur aq sa i sëmuri të mund të kalojë poshtë tij. Në këtë mënyrë i sëmuri shpreson se do të shërohet. Pastaj Gegë Mazreku flet për martesat e të krishterëve me turqit, për festën e shën Anës, për problemet financiare të shkaktuara kryesisht nga pushtuesit turq, dhe së fundi kërkon ndihmë nga Kongregata për Ungjillizimin e Popujve, për të mundur të vazhdojë aktivitetin e tij si misionar.
Dokumenti i shtatë është lëshuar në Budvë, 4. III. 1648. Origjinali i ti ruhet në: APF. SOCG, vëll. 264, f. 65r-v, 72r-v). Në të këtë dokument Gjon Baptista, vikari apostolik për territoret e Shqipërisë, i shkruan kolegjit të kardinalëve nga Budva në prani të ipeshkvit të Sapës, [ipeshkv i Sapës ishte Simon Suma më 27. V. 1647-29. V. 1673] dhe të don Gjergj Bardhit, për të cilin thotë se është futur në mënyrë klandestine në Shqipëri. Në qendër të letrës është plani për të rimarrë Shqipërinë e pushtuar nga turqit, mirëpo siç thotë ai, për shkak të mungesës së ndihmave nga Venedikasit, ata nuk arritën që ta çlirojnë atë nga turqit. Plani kishte qenë që më 24 të muajit të kaluar, d.m.th. të janarit, kryeipeshkvi i Durrësit [ipeshkv i Durrësit ishte Marcus Scura, nga Kruja, më 10. IX. 1640-27. VIII. 1657] do të sulmonte Krujën dhe Lezhën me 6 mijë luftëtarë, në qoftë se do të ishte shfaqur armata venedikase, ose nëse Kelmendasit dhe popujt e tjerë në afërsi të Shkodrës do të kishin mbajtur premtimin për të sulmuar Shkodrën në të njejtën kohë. Si pasojë e tradhëtisë, fra Giacomo, dhe fra Ferdinando da Genova, të cilët u sollën para gjykatësit [kadiut], u dënuan me vdekje për rebelim dhe si autorë të lëvizjes së ushtrisë së Krishterë. Ipeshkvi i Lezhës [ipeshkv i Lezhës ishte Benedictus Orsini (Ursinus) më 21. VI. 1621-6. III. 1656] u fut në burg, ndërkohë që murgjit e Shkodrës dhe të Sapës u larguan nga vendi. Në Kotorr gjendet edhe komandanti i përgjithshëm me njëmijë këmbësorë, në pritje të gjeneralit të Dalmacisë dhe të disa galerave dhe anijeve të tjera për të shkuar në Shqipëri, dhe për të përkrahur popujt e Shkodrës, Tivarit, Ulqinit, Lezhës, Krujës etj. për t’u çliruar nga turqit.
Dokumenti i tetë është lëshuar në vitin 1650. Në këtë dokument nuk është shënuar vendi, data e muaji i lëshimit të tij. Origjinali ruhet në: APF. SOCG, vëll. 220, f. 20r-21v). Përmbatja e shkurtër është: kryeipeshkvi i Ohrit, [ipeshkv i Ohrit ishte Raphael Levacovich /kroati Rafael Levakoviæ/, më 27. V. 1647-27. II. 1651] i përfaqësuar në Kongregatën e Shenjtë me anë të don Pietër Bogdanit, nipit të tij, paraqet nevojën e madhe shpirtërore të popullsisë së dioqezave të tij. Në territoret e Prishtinës, Trepçës, Scegieci, [Shegjec! /Shën Gjergj (sic!)] Kratovës, Malit të Zi, ka shumë katolikë, por për shkak të mungesës së famullive, ekziston rreziku që të kthehen në skizmatikë (kupto: në fenë ortodokse serbe). Personat që mund të vijnë në këto poste famullitarësh janë: për Prishtinën, don Gjin Bardhi, nxënës dhe prift, 40 vjeç, që për një kohë të gjatë i ka shërbyer kryeipeshkvit Bardhi të Tivarit; për Monteneron [Mali i Zi i Kosovës.] don Gjergj Mazreku, shqiptar, prift 35 vjeç, që ka shërbyer si famullitar në Sapë; për Scegieci don Gjon Damussi, shqiptar, prift 30, i cili ka shërbyer si famullitar në Segiecci dhe si përkthyes për misionarët françeskanë; për Kratovën don Stefani nga Kratova, prift 40 vjeç, i ka shërbyer për shumë kohë kryeipeshkvit Bardhi dhe për Trepçën, at Bernardino da Montenero, françeskan 35 vjeç, që ka studiuar në Bari.
Dokumenti i nëntë është lëshuar në vitin 1650. Në këtë dokument nuk është shënuar vendi e as data e muaji i lëshimit të tij. Origjinali ruhet në: APF. SOCG, vëll. 220, f. 19r-v, 22r, 25r, 26r). Në këtë dokument flitet për “Mbretërinë e Serbisë”, për popullsinë e saj (të ndarë sipas feve), për territoret dhe për gjendjen e katolikëve në të. Popujt (kupto: të ndarë dhe të emëruar sipas përkatësisë fetare dhe jo etnike) që jetonin në mbretërinë e Serbisë ishin turqit, skizmatikët (ortodoksët serbë), hebrenjtë, katolikët dhe në disa vende edhe armenët. Katolikët, megjithëse nuk dihet numri i saktë i tyre, ishin në numër shumë më të vogël se skizmatikët dhe turqit, – thuhet në dokument. Territoret kryesore ku jetojnë katolikët janë: Shkupi /Scopia/, Metropoli, Prizreni /Priseren/, Prokupla /Procopia/, Prishtina /Przstina/, Janjeva /Jagnevo/, Novo Brda /Montenovo/, Jagodina /Jagodna/, Vushtrria /Vuciter/, Nishi /Nissa/, Krushevci /Krusovaz/, Novi Pazari /Novopazar/, Leskovci /Lescovaz/, Kratova /Cratova/, Letnica /Letniza/, dhe rrethinat, sidomos në Ovçe Pole /Ovce Poglie/, Kosovë /Cossovo/, dhe Karadak /Montenero/.
Dokumenti i dhjetë është lëshuar në Kelmend, më 8. V. 1652. Origjinali i tij ruhet në: APF. SOCG, vëll. 266, f. 39r-v, 55r-v). Ky dokument është një letër e shkruar nga Fra Benedetto Trivisano, misionar minorit, dhe zëvendësprefekt i misioneve të Shqipërisë. Në Kelmend, nga ku shkruan letrën, ai gjendet së bashku me at Giacinto di Sezza dhe fra Francesco Maria di Urbania, për të vazhduar punën në misionin. Ai flet për gjurmë të pakta të krishtërimit katolik ndër banorët e këtyre zonave. Janë të pagëzuar, shkruan ai, dhe tregojnë bindje dhe devotshmëri ndaj Kishës së Shenjtë Romane, por janë krejt të paditur për të gjitha sakramentet e tjera, dhe për të gjitha normat e ligjit, si të atij natyror ashtu edhe të atij hyjnor. Magjitë, supersticioni, vëzhgimet e rreme, thirrjet e djajve, dhe gjëra të ngjashme nuk konsiderohen si mëkate nga popullsia kelmendase, të cilët nuk dinë të nderojnë as Zotin dhe as shenjtët. Ata besonin që secili në fenë e vet mund të marrë shpëtimin hyjnor dhe nuk e konsideronin mëkat të bënin be të rreme për Zotin, apo për shenjtët: konsideronin mëkat vetëm benë e rreme të bërë në kishë, ose mbi djepin e një foshnjeje, që për ta përfaqsonte Gjon Pagëzorin, të cilin e nderonin më shumë madje se edhe vetë Zotin. Festat i mbajnë sipas riti grek, shkruhet në letër, dhe në mënyrë shumë supersticioze. Më tej jepen edhe shumë hollësi të tjera si p.sh. ata nuk presin shumë arsye për të ofenduar prindërit e tyre, nuk e konsiderojnë urrejtjen si mëkat, kur vritet dikush e paguajnë gjakun me gjak dhe këtë gjë nuk e konsiderojnë mëkat, marrëdhëniet intime të parregullta nuk konsiderohen mëkat e shumë të tjera.
Dokumenti i njëmbëdhjetë është lëshuar në Novo Bërdo, më 2 janar 1653. Origjinali ruhet në: APF. SOCG, vëll. 220, f. 533r-v, 542r-v). Në këtë dokument shkruhet ndër të tjera se duke parë që “Mbretëria e Serbisë”, e cila tashmë prej shumë vitesh nuk ka pasur një bari shpirtëror dhe për këtë shkak ka pësuar shumë dëme të shpirtrave katolike, kleri katolik ishtë mbledhur së bashku dhe kishte shkruar një letër të nënshkruar nga Pjetër Leçiqi. Në emër të klerit dhe të popullit ishte kërkuar një prelat kombëtar, që flet një gjuhë që e respektojnë të gjithë, dhe që i nënshtrohet të gjithë bashkarisht, së pari vikari, së dyti Pjetër Leçiqi që ishte famullitar i Monte Novos, dhe don Andrea Bogdani që kishte qenë famullitar në Prishtinë, dhe që në kohën kur është shkruar letra e mëposhtme ishte kryeipeshkv i Ohrit [Andre Bogdani ishte ipeshkv i Ohrit më 27. II. 1651-20. III. 1656]. Kishin propozuar at Françesko Soimiroviqin nga Çiprovci, dhe ai ishte emëruar vërtetë. Problemet kishin filluar kur at Françesko Soimiroviqi kishte ardhur në vend, në postin e tij: ishte pritur mirë si nga klerikët e lartpërmendur ashtu edhe nga katolikët e vendit, por ai kishte filluar grindjet me klerikët aty në lidhje me hapësirën e influencës. Kundër don Adrea Bogdanit p.sh. kishte thënë që atij i takonin të gjithë katolikët. Pjetër Leçiqi kërkon nga Kongregata për Ungjillizimin e Popujve të zgjidhet kjo situatë e pakëndshme e këtij krijuar nga sjellja e Françesko Soimiroviqit, sjellje që e ka cënuar edhe atë vetë personalisht në zbatimin e detyrës së tij si klerik./inforculture.info