Nga Milaim NELA
Kam hezituar të shkruaj për Ismail Kadarenë shkrimtarim shqiptar që u nda nga jeta pak ditë më parë.
Është zakon i vjetër shqiptar që në ditët e mortit heshtet dhe nderohet i vdekuri.
Ma kanë kërkuar shumë miq që edhe unë ti them dy fjalë e në respekt të tyre e lexuesve të kësaj faqeje do ta jap mendimin tim;
- Ismail Kadare si shkrimtar është shkrimtari më i rëndësishëm shqiptar i pas luftës së dytë botërore. I talentuar, mjeshtër i përdorimit të fjalës shqipe fjalë me të cilat e ka pasuruar jo vetëm letërsinë por edhe gjuhën shqipe.
Unë jam i pakualifikuar të flas për cilësinë e letërsisë së tij e në këtë aspekt flas modestisht si lexues i tij. Për këtë kanë shkruar e do tē shkruajnë kritikë dhe ekspertë të letrave.
Ajo që mund të them unë është se Ismail Kadare ishte pasaportë për ne shqiptarët që dolëm jashtë vendit pas vitit 90të pasi ishte ndër të rrallët autorë shqiptarë të botuar në gjuhë të huaj. Në udhëtimet e para që kam patur në vitet nëntëdhjetë jashtë vendit në vende të ndryshme dhe kur ju tregoja bashkëfolësve të mi që jam shqiptar emri Kadare ishte i pari që bëhej temë e bisedave tona dhe kjo në sfondin dhe paragjykimet që kishte për shqiptarët në atë kohë të bënte të ndiheshe mirë.
Ismail Kadare duam apo nuk duam na pëlqen apo nuk na pëlqen ka qenë ambasadori më i mirë i letërsisë, kulturës dhe identitetit shqiptar në botën e jashtme.
Edhe Arshi Pipa një nga kritikët më të mëdhenj të regjimit stalinian dhe Kadaresë duke theksuar konformizmin e tij e ka quajtur …’ambasador të kulturës shqiptare’!
- Unë sidoqoftë, hezitoj ta quaj Kadarenë si shkrimtarin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave! E kam të vështirë ta vë në një peshore fjala vjen me Gjergj Fishtën. Jo vetëm se të dy këta kanë operuar dhe punuar në kohë të ndryshme por kontributet i kanë në rrethana krejt specifike. Fishta prodhimtarinë kryesore e ka në mungesë të shtetit shqiptar apo në fazat e themelimit të tij e Kadare nga ana tjetër duke perjashtuar periudha të shkurtëra siç ishte ajo pas botimit të “Pashallarëve të Kuq” kishte një mbështetje shtetërore e superstrukturë të tërë pas tij.
Fishta ka një kontribut intelektual të jashtëzakonshëm letrar dhe jashtë letrar dhe këtu mes të tjerash dua të theksoj kontributin e tij në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Manastir në vitin 1908. Ishte vendosmëria e Fishtës si Drejtor i këtij Kongresi që u vendos Alfabeti që kemi sot.
Ka vepra të Kadaresë të cilat ai vetë besoj nuk do të donte të ishin në qarkullim pas vitit 1990 siç fjala vjen është romani ‘Dasma’ apo prozë dhe poezi dedikuar Enver Hoxhës dhe regjimit të tij.
Kjo veç të tjerave edhe mund ti ketë kushtuar mosmarrjen e çmimit Nobel.
Kadare, sidoqoftë duke lënë mënjanë disa vepra të periudhës se realizmit socialist ju ka lënë shqiptarëve një vepër të pasur e cilësore. Ai ju ka lënë shkrimtarëve aktualë dhe të ardhshëm një standart të shkruari që do jetë referencë e dobishme për të gjithë ata që do shkruajnë shqip në tē ardhmen.
- Fishta nga ana tjetër ka kontribut të jashtëzakonshëm në mbajtjen gjallë të ndjenjës kombëtare të shqiptarëve kur kombi dhe shtetndërtimi ishin në rrezik serioz para orekseve shoviniste të fqinjëve të shqiptarëve.
‘Lahuta e Malcis’ e Fishtës është një vepër letrare unike në letërsinë shqipe e pakrahasueshme me ndonjë vepër tjetër të kësaj letërsie sipas opinionit tim modest, aq sa e njoh unë letërsinë shqipe.
Kjo për sa i përket Ismail Kadaresë si njeri i letrave.
Si intelektual për mua, e besoj për shumë si unë Kadare ka dritëhije të dallueshme të forta. Unë personalisht nuk kam shumë problem me konformizmin e tij të para nëntëdhjetës sepse pa të mbase nuk do kishim letērsinë e tij se sa kam papajtueshmeri me përkuljet dhe qëndrimet e tij pas kësaj periudhe!
- Kadare në fund të viteve nëntëdhjetë atëherë kur po dukej se perdja e hekurt do binte edhe në Shqipëri në librin ‘Ardhja e Migjenit në Letërsinë Shqipe’ përdori një gjuhë shumë denigruese ndaj Gjergj Fishtës, Martin Camajt, Ernest Koliqit e Faik Konicës.
Ai nuk pati kurajon të kërkojë falje publike të njëmemdtë ndaj tyre pas vitit 90të edhe sepse ata nuk ja kishin borxh. Nuk e bëri siç duhet përpos përdorimit të gjuhës së sofistikuar për të justifikuar veten në shumë raste.
Është fakt që ikja e tij për në Francë i dha një shtytje zhvillimeve politike në vend por vetëm kaq. Megjithëse ka opinione që variojnë rreth këtij akti të tij unë personalisht ja njoh si meritë këtë akt sepse kjo frymëzoi jo pak edhe studentët e dhjetorit 90të dhe këtë e them nga përvoja personale si pjesë e asaj lëvizjeje.
- Ismail Kadare si njeri publik dhe njeri fjala e të cilit peshonte shumë në masë të madhe heshti për revolucionin e zi të vitit 1997 duke përdorur një gjuhë të drunjtë ku fajësonte zbehtë njëtrajtshëm të dyja palët kur për ne që e kemi jetuar atë periudhe 97-a kishte një autor e ai ishte llumi bolsheviko-komunist i ndihmuar nga falangat e ish-sigurimit famëkeq me ndihmën e agjenturave ballkanike e më gjerë kjo përballë amatorizmit të një qeverie pa përvojë në punët e shtetit. Kadare nuk e vuri asnjëherë gishtin mbi plagë ashtu siç pritej nga një intelektual i kalibrit të tij.
Ai duke mos u prononcuar, pra duke heshtur u bë mbështetës ku i hapur e ku i kamufluar i të majtës vrastare shqiptare.
Zgjodhi ti kërkojë kandidatit të partisë demokratike të tërhiqej nga gara për Bashkinë e Tiranës në vitin 2011 por kurrë nuk bëri një akt të ngjashëm ndaj së majtës.
Publiku dhe lexuesi i këtij shkrimi mban mend një letër të hapur të Kadarese drejtuar një prej amabasadoreve më të përfolura të BE-se ne Shqiperi si Romana Vlahutin demek se ishte fyer nga shqiptaret.
- Por ai heshti fjala vjen kur një tjetër ambasador i njohur ju tregoi gishtin e mesit shqiptarëve gjest ky shumë domethënës për rolin e ambasadorëve të huaj në Shqipëri.
- Ai heshti për shembjen talebaneske të ndërtesës së Teatrit Kombëtar kur ai nuk ishte një akt i mirëfilltë politik i një partie ndaj tjetrës por qartësisht ishte një akt terrorist i mirëfilltë ndaj Kulturës dhe Artit Shqiptar.
Jo vetëm kaq por ai pozoi jo pak herë me figura të degraduara dhe të pështira të “rilindjes sorosiane” personazhe këto që shqiptarët kanë ndot ti shohin edhe në mediat vizive pa le të ulen me ta në tavolina!
Kontributi intelektual i Kadaresë duke hequr arratisjen e tij në Shqipërinë e tranzicionit është krejt i papërfillshëm për të mos thënë është negativ.
Them negativ sepse siç e ceka më sipër heshtja ndaj prapësive është në vetvete miratim i tyre. Një intelektual i kalibrit Kadare nuk duhet të bënte kurrësesi kompromise të tilla për çfarëdo lloj arësye. Unë jam i sigurtë që e bija e tij do mund të bënte punë të tjera në fushat ku është e kualifikuar pa patur nevojë të marrë privilegje të pamerituara nga Edi Rama dhe qeveria e tij.
- Nëse ka një kontribut intelektual të ndjeshëm e kombëtar të Ismail Kadaresë është ai ndaj çeshtjes së Kosovës në fund të viteve nëntëdhjetë. Ai shfrytëzoi famën e tij dhe ndikimin në qarqet intelektuale e politike franceze në favor të çeshtjes së Kosovës. Është puna e palodhur e tij dhe shkrimtarit Besnik Mustafaj asokohe ambasador në Francë që kanë meritën e padiskutueshme të rrudhjes së Francës filo-serbe (pa harruar faktorin Blair) që do të çonte në dakordësinë e Francës për tu bashkuar në kuadër të NATO-S në aleancën kundër pushtimit serb të Kosovës
Kadare pati kurajon intelektuale ti kërkonte falje Presidentit Ibrahim Rugova për fyerjen që i kishte në librin ‘Ra ky Mort e u pame’. Ky gjest ishte një akt i madh civilizues e njërëzor e është vlerësuar shumë sidomos në opinionin publik të Kosovës.
Në rrafshin mbarëkombëtar Ismail Kadare duke kuptuar djallëzinë dhe investimin e Akademisë dhe Politikës serbe në qarqet perëndimore për ti portretizuar shqiptarët si popull islamik, atavizmë e lindjes së mesme në Shqiperi me letërsinë e tij me intervistat dhe prononcinet e tij me të drejtë i mëshoi tezës së tij të argumentuar me mjaft elegance se shqiptarët i përkasin qytetërimit përendimor dhe janë në themelet e këtij qytetërimi. Duke i mëshuar fort kësaj teze ai shpesh i bëri të pakënaqur shumë pjesëtarë të besimit islam por besoj se kjo në tërësi i ka shërbyer çeshtjes shqiptare dhe çmontimit po me elegancë të tezave serbe per të cilat ata kishin investuar aq shumë e janë të investuar fort sot e kësaj dite.
Dua tē sjell në vëmendje këtu debatin publik mes tij dhe Rexhep Qoses.
E njëjta teze serbe por në mënyrë të ngjashme është çomtuar me sukses nga Ibrahim Rugova.
Ajo që mua më ka ngelur në kujtesë nga Kadare nga vitet e tranzicionit shqiptar është kërkesa e tij e disahershme për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit e këtë padyshim se ja vlerësoj. Ai e kërkoi këtë publikisht edhe në 75-vjetorin e lindjes se Havzi Nelës.
Kadare po ashtu e ka pranuar publikisht më në fund që Gjuha Zyrtare standarte është e mangët dhe e cunguar pa integrimin e gegnishtes brenda saj në veçanti pa infinitivin dhe paskajoren dhe ka pranuar që gjuha standarte ka nevojë për ndryshime.
Vepra e tij letrare cilësore do mbijetojë në breza, kontributi i tij intelektual e publik është e pakta, i diskutueshëm.