Pjesa 1
Edhe pse sëmundjet e zemrës shpesh mendohen si një problem i burrave, statistikat tregojnë se numri i grave që vdesin nga sëmundjet e zemrës është çdo vit më i lartë në krahasim me burrat.
Tek gratë, probabiliteti i vdekjes nga problemet e zemrës është 6 herë më i lartë se vdekja e shkaktuar nga kanceri i gjirit.
- Sëmundjet e zemrës vrasin më shumë gra mbi moshën 65 vjeç sesa të gjithë kanceret së bashku.
Simptomat e sëmundjeve të zemrës tek gratë janë të ndryshme nga simptomat që shfaqen tek burrat. Për fat të mirë, gratë mund të ndërmarrin hapat e duhur drejt detektimit të këtyre simptomave dhe mund të fillojnë me parandalimin e sëmundjes.
Cilat janë simptomat e atakut kardiak te femrat?
Si tek gratë ashtu edhe tek burrat, simptoma më e zakonshme e atakut kardiak është dhimbja, presioni ose shqetësimi në gjoks/kraharor. Por dhimbja zakonisht nuk është aq e fortë dhe për këtë arsye nuk konsiderohet si një simptomë tipike tek gratë. Gratë gjithashtu kanë më shumë gjasa se burrat të kenë shenja dhe simptoma që nuk lidhen me dhimbjen e kraharorit. Të tilla janë:
-parehati në qafë, shpatulla, stomak;
-mungesë ajri;
-të përziera ose të vjella;
-ënjtje të gjymtyrëve;
-marramendje dhe errësirë para syve;
-lodhje e pazakontë.
Shumë gra, për faktin se simptomat e tyre nuk kanë qenë tipike për një atak në zemër, paraqiten në qendrën urgjente pasi të kenë ndodhur më shumë dëmtime në zemër.
E rëndësishme që duhet të mbani mend është:
- Nëse jeni duke përjetuar ndonjë nga simptomat e përmendura më lart ose mendoni se po përjetoni atak në zemër, kërkoni ndihmë menjëherë! Mos shkoni vetëm në spital!
Cilët janë faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës tek gratë?
Megjithëse faktorët më të njohur të rrezikut për sëmundjet koronare të zemrës, si kolesteroli i lartë, presioni i lartë i gjakut dhe obeziteti, prekin si burrat ashtu edhe gratë, ka faktorë të tjerë që mund të luajnë një rol më të madh në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës tek gratë. Për shembull:
– Sindromi metabolik – grumbullimi i yndyrës (dhjamit) në zonën e barkut, presioni i lartë i gjakut, niveli i lartë i glukozës në gjak dhe trigliceridet e larta. Këta faktorë rreziku janë më karakteristikë për gratë sesa për burrat.
– Stresi mendor dhe depresioni ndikojnë më shumë në shëndetin e zemrës tek gratë.
– Pirja e duhanit është një faktor rreziku më i madh tek gratë sesa tek burrat;
– Nivelet e ulëta të estrogjenit pas menopauzës janë një faktor rreziku i lart për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare të enëve të vogla të gjakut.
Cila është mosha kritike për sëmundjet e zemrës tek gratë? A duhet të shqetësohen vetëm gratë e moshuara?
Të gjitha gratë e të gjitha moshave duhet t’i marrin seriozisht sëmundjet e zemrës.
- Statistikat botërore konfirmojnë se sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjes tek gratë mbi 65 vjeç.
Por është gjithashtu fakt se ato janë shkaku i tretë kryesor i vdekjes tek gratë e moshës 25 deri në 44 vjeç dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjes tek gratë e moshës 45 deri në 64 vjeç. Nga ana tjetër, gratë që janë nën moshën 65 vjeç dhe kanë një histori familjare të sëmundjeve të zemrës, duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë faktorëve të rrezikut përgjegjës për sëmundjet e zemrës.
Vazhdon nesër …date 29 Janar 2023