Në debatin e Bundestagut gjerman për Ballkanin Perëndimor, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare gjermane, CDU/CSU, Johann David Wadephul foli në emër të grupit të tij parlamentar dhe prezantoi mocionin e këtij grupi për angazhim të Gjermanisë për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Wadephul nuk harroi të kujtonte kushtet që ka vendosur Bundestagu për Shqipërinë për fillimin e negociatave me BE.
Në rezolutën e miratuar nga Bundestagu në tetor 2019, parlamentarët gjermanë i dhanë dritën jeshile qeverisë gjermane që të çelte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por grupi parlamentar CDU/CSU, ku bënte pjesë edhe kancelarja e atëhershme, Angela Merkel, i caktoi qeverisë gjermane nëntë kushte shtesë për Shqipërinë, para se kjo të vendoste për fillimin e negociatave.
Vendimi i Bundestagut nuk është obligues për qeverinë gjermane
DISA NGA KUSHTET
– Zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore
– Fillim i procedurave penale kundër gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët në procesin e vetingut janë akuzuar për sjellje të dënueshme penalisht.
– Fillimi i procedurave nga prokuroria dhe eventualisht gjyqësori kundër atyre që kanë pasur lidhje me blerjen e votave si dhe ecuri serioze dhe të shpejtë të proceseve.
– Ngritja e strukturës speciale për luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vënia në punë e saj.
– Suksese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe nisjen përfundimin e proceseve të para gjyqësore kundër zyrtarëve dhe politikanëve të rangut të lartë. Këtu hyjnë hetime pro-aktive, eventualisht ndjekje dhe dënime penale në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
– Përparime të prekshme në reformën administrative, duke përfshirë verifikimin e punësimit të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, duke mbajtur parasysh edhe kritikat për parregullsi.
Sa kemi plotësuar për të kërkuar nisjen e negociatave ? Këtë duhet të na thonë europianët…