RUDINA në “LËNDINËN” e POEZISË

Ka lindur në Ishëm të Durrësit në vitin 1976. Pas përfundimit të studimeve deri në vitin 2001 ka punuar si mësuese në vendlindje.

  • Edhe pse ka vetem 4 vjet që e ka filluar krijimtarin letrare në bibloteken e saj numërom 12 vëllime letrare nga të cilat 9 me poezi dhe 3 me prozë.
Në prozë ka shkruar : “Kur ndërronte fustanet”(prozë &poezi), librin me tregime “Me gjuhën e tyre” si dhe librin(jetëshkrim) “Im atë, mjeku i të gjithëve”. Arshiva e Rudinës numëron mbi 800 poezi . Prej 22 viteve jeton në Rovereto – Trentino Alto Adige të Italisë.
Krijimtaria letrare:
1.”Hojet e zemrës”, 2.”Lutje lulesh”, 3.”Valsi vallëzon vetëm”, 4.”Orët e Tokës”, 5.”Hënë mbi kodra”,6. Strehë malli”, 7. ”Volevo scrivere”, 8.“Kandil i shpirtit”, 9. “Perdet e shpirtit”

VETMIA

Bujtina,
sa shumë bujtina
bujtur nga vetmitarë,
që botën
përmes xhamash vështrojnë,
agimet kur zbresin,
e mbrëmjet ngadalë kur shkojnë…
me trishtimin e lamtumirave në shpirt…

HUMBAS NËPËR STINË

Pemët nguten të zhvishen,
shtëpitë, gjithnjë e më të heshtura,
zbehin udhët psherëtimave të gjata,
luadhet, zhurmave të pakta,
vetëm deti, s’resht…
Humbas nëpër vjeshtë e rend pa kthim
Pa u penguar udhëkryqeve të stinës…

PËRULJE
Shurdhuese kjo heshtje,
aq sa hapat ia ndjej milingonave në ikje,
zhurmën, myshkut e likeneve,
trishtimin, pikës së shiut,
flladin që përkëdhel një narciz të brishtë,
e përuljen e Zotit që më zbret në shpirt.

LISAT
Bregu nuk vesh më lisa !
Ata i prenë,
i shitën n’pazare fjalësh !
Krejt dritën që mbartnin
ia zbehu tehu i egër i një sëpate.
Krejt fjalët që s’thanë
u dëgjuan krismës së një rënie.
Vrerosem,
Pse njerëzit s’e dinë gjuhën e pemëve,
të zogjve,
të flladitjeve,
të shirave,
të gjetheve…
Eh, gjuha e njerëzve…

GRUA !
Grua
Merr me vete pak prej të shkuarës
aq sa shpirti yt i lirë të fluturojë
të kapërcejë pragun e dëshirave të heshtura
valsit të erërave kudo nëpër qiell,
pa shqetësimin drithërues të së sotmes,
pa ankthin e të nesërmes,
veç rend ashtu si madhështi
simfonisë së pranverave të tua,
të përjetshmes
që jetën para teje përkul!

HABI…
Nderojmë me fjalë –
me fjalë vrasim,
me një vështrim ngjallim –
mbysim me një vështrim.
Me heshtje falim –
heshtjen kemi dënim,
meditimi na lind –
na plak një meditim.
Me mendim prekim –
na shtang një mendim,
na zgjon një e vërtetë –
një e vërtetë na ngrin,
Plagos një gënjeshtër –
gënjeshtra – shpëtim.
Një kujtim mbjell dhimbje –
jetë mbart një kujtim…
Largësi që tkurren
zgjaten pa mbarim…
Habi, njeriu!
Kjo qenie mrekulli
e vetes kundërshtare,
burgosur në një llambë balte…

Author: jehona