Skuadra shkodrane do të ndeshet sot në transfertë me Linfield, në Irlandën e Veriut, sfidë që do nisë në orën 20:45 dhe që do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në “SuperSport3”.
Ndërsa na ndajnë edhe disa orë nga nisja e kësaj ndeshjeje, mësohet se “Windsor Park” në Belfast do të jenë rreth 300 tifozë “kuqeblu” për të mbështetur ekipin shkodran.
Trajneri Memelli duket se ka pak dilema për sa i përket 11 të besuarve, të cilët do të hedhë nga minuta e parë në përballjen e Belfastit. Me përjashtim të balotazhit që është në të djathtë të mesit të fushës, lojtarët e tjerë duket se do të jenë ata që kanë zhvilluar edhe miqësoret gjatë përgatitjeve boshnjake.
Dragoshi apo Smajli është e vetmja dilemë, ndërsa pjesa tjetër pritet që të jetë e bërë nga Qarri në portë, në mbrojtje treshja Stojanoviç, Juriç e Çeshmedjiev. Katërshja e mesit të fushës pritet që të jetë Smajli apo Dragoshi, ndërsa tre të tjerët do të jenë Boshnjaku, Alivoda e kapiteni Hakaj. Në vijën e sulmit pritet të jenë Mala e Çoba në krahë, në ndihmë të Balajt që do të jetë në majë të këtij reparti.
- “Duhet të jemi të kujdesshëm në të dyja fazat, si në atë sulmuese dhe në atë mbrojtëse. Ky 90-minutësh është për të njohur dhe parë kundërshtarin më mirë, por edhe për të shprehur vlerat tona më mirë. Të dy apo 3 lojtarët që mendojmë se mund të luajnë në mesin e fushës janë lojtarë cilësorë, u kemi dhënë besim dhe vazhdojmë t’u japim besim, përpos moshës së re”, u shpreh Memelli mes të tjerash kur u pyet për formacionin.
VLLAZNIA: Qarri, Stjoanoviç, Juriç, Çeshmedijev, Dragoshi (Smajli), Boshnjaku, Alivoda, Hakaj, Mala, Çoba, Balaj
Trajner. Migen Memelli