Kevin McCarthy është zgjedhur Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së . McCarthy më në fund mori detyrën pas 15 raundeve të votimit, pavarësisht se partia e tij mban shumicën në dhomë.
- Fitorja e tij erdhi pas një presioni dramatik në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa rebelit të partisë Matt Gaetz iu kërkua të votonte për zotin McCarthy. Kongresmeni i Floridës ishte në mesin e gjashtë anëtarëve që u dorëzuan vonë të premten.
Më herët, mes situatave të nxehta në dhomë Kongresmeni nga Alabama duhej të frenohej fizikisht nga kolegët, teksa bërtiste dhe drejtonte gishtin drejt zotit Gaetz.
Kryetari përcakton axhendën e Dhomës dhe mbikëqyr punën legjislative. Posti është i dyti në radhë pas presidencës dhe pas zëvendëspresidentit të SHBA.
- Duke folur pas konfirmimit të tij, McCarthy shkroi në Tëitter: “Shpresoj që një gjë të jetë e qartë pas kësaj jave: Unë kurrë nuk do të dorëzohem. Dhe nuk do të dorëzohem kurrë për ju, popullin amerikan”.
Presidenti i SHBA Joe Biden e përgëzoi zotin McCarthy për fitoren e tij dhe tha se mezi priste të bashkëpunonte me Partinë Republikane.
“Populli amerikan pret që liderët e tyre të qeverisin në një mënyrë që vendos nevojat e tyre mbi gjithçka tjetër, dhe kjo është ajo që ne duhet të bëjmë tani,”- tha ai.
Republikanët tashmë janë zotuar të nisin hetime mbi marrëdhëniet dhe administrimin e biznesit familjar të zotit Biden.
Pas shtyrjes së votimit të 13-të, zoti McCarthy këmbënguli para gazetarëve se ai do të “kishte votat” për të marrë kryesinë në raundin tjetër.
Në një kthesë të jashtëzakonshme në raundin e 12-të të votimit, zoti McCarthy ishte në gjendje të bindte 14 republikanë për të votuar për të.
Por kongresmenit të Kalifornisë i mungonin ende tre vota nga 217 që i nevojiteshin për të marrë postin dhe ai nuk fitoi as në raundin e 14.
Kthesa në zhvillimet që kanë mbajtur të paralizuar këtë dhomë, erdhi pasi zoti McCarthy ra dakord me shumë prej kërkesave të kundërshtarëve të tij brenda grupit të ligjvënësve republikanë.
Mes këtyre lëshime, përfshihet rivendosja e një rregulli të kahershëm të Dhomës së Përfaqësuesve që do të lejonte çdo anëtar të vetëm të saj, të thërriste një votim për largimin nga detyra të kryetarit. Në thelb një gjë e tillë do ta vendoste zotin McCarthy nën kërcënimin e vazhdueshëm të kundërshtarëve të tij, nëse do të zgjidhej në krye të kësaj dhome.
Po kështu sipas marrëveshjes ligjvënësit pritet të kenë më shumë ndikim në hartimin dhe miratimin e legjislacionit.