RECETE GATIMI – Trileçe shtëpie

Embëlsira perfekte për të mbyllur me shijen më të mirë drekat apo darkat familjare. Trileçe është ëmbëlsira perfekte për të ëmbëlsuar shpirtin dhe organizmin në çdo orë të ditës.

Me shijen e saj të kombinuar mes qumështit e krem karamelit kjo ëmbëlsirë është mahnitëse dhe shumë e dëshiruar nga të gjithë.

Si të përgatisim Trileçen në shtëpi

Përbërësit

1 l qumësht

500 ml krem qumështi (krem pana)

10 kokrra vezë

10 lugë gjellë sheqer

10 lugë miell

350 qumësht i kondesuar (qumësht panda)

300 ml karamel

Përgatitja

Në një enë hedhim vetëm të bardhat e vezëve dhe të verdhat i lëmë në një enë tjetër mënjanë. Hedhim sheqerin në enën ku kemi të bardhat e vezëve dhe i rrahim derisa masa të bëhet e njëtrajtshme dhe e trashë.

Më pas, rrahim të verdhat e vezëve dhe i shtojmë tek masa e përgatitur me të bardhat e vezëve dhe sheqerin.

I përzjejmë derisa të njëtrajtësohen.

Më pas, shtojmë gradualisht miellin dhe njëkohësisht e trazojmë masën pa ndërprerje me qëllim që volumi i masës të jetë i njëjtë.

Ngrohim furrën në temperaturën 250 gradë.

Përmes një furçe kuzhine lyejmë me pak vaj tavën dhe hedhim në të masën e përgatitur dhe e lëmë të piqet në këtë temperaturë për 5 minuta, më pas gradën e nxehjes e ulim në nivelin 150.

E lëmë të piqet edhe për 10 minuta të tjera.

Përgatitja e Qumështit

Hedhim qumështin e kondesuar në një enë bashkë me qumështin e lëngshëm. I përzjejmë derisa qumështi i kondesuar të tretet plotësisht.

Më pas shtojmë kremin e qumështit (pana). I përzjejmë mirë që të jenë një masë.

Heqim kekun ose pandispanjën nga furra. Pasi të jetë ftohur i presim në formë katrorë dhe hedhim përsipër masën e qumështit.

E lëmë derisa pandispanja të përthithë qumështin plotësisht.

Në fund, u hedhim sipër karamelin e lëngshëm

Author: jehona