RECETE GATIMI- Pastico me Mish të Grire

Receta e sotëme ka të bëjë me përgatitjen  e pastiços me mish të grirë dhe krem qumështi, apo siç njihet ndryshe me beshamelë.

Përgatitja e Pastiços me Mish të Grirë

Përbërësit

Përbërësit bazë

350 gr makarona (të gjata apo të shkurtra në formë tubi)

110 gr djathë të bardhë

2 kokrra vezë

Për salcën me mish të grirë

700 gr mish të grirë

2 kokrra qepë

3 thelpinj hudhra

400 gr domate të grira

1 lugë salcë domatesh pure

Një gotë verë (nëse preferoni)

1 gjethe dafine

3 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper i zi

Për kremin e qumështit (beshamelin)

½ filxhan çaji me miell gruri

½ filxhan çaji me gjalpë të tretur

900 ml qumësht

2 të verdha veze

100 gr djathë të grirë kaçkavall

Përgatitja

Përgatitjen e kësaj recete niseni duke përgatitur si fillim salcën me mish të grirë.

Vendosni një tigan të madh në zjarr dhe shtoni vajin e ullirit. Shtoni qepët e grira hollë dhe përzjeini derisa të zbuten.

Shtoni më pas hudhrat e grira, lugën me salcën e domateve dhe mishin e grirë. Kaurdisini të gjitha bashkë përmes një luge druri.

Pasi masa të mos ketë më lëng shtojini nëse preferoni gotën me verë dhe prisni derisa ajo të avullojë.

Më pas shtoni domatet, kripën, piperin e zi dhe gjethen e dafinës.

Lërini të ziejnë me lëngun e domateve në zjarr të ngadaltë dhe kaurdiseni masën herë pas here derisa lëngu të avullojë. Pasi të jetë gati, gjethen e dafinës largojeni nga salca.

Më pas, nisni përgatitjen e kremit të qumështit, siç njihet ndryshe edhe beshamelë.

Vendosni një tigan të madh në zjarr të ngadaltë. Shtoni gjalpin e tretur dhe më pas miellin dhe përzjeini të dyja bashkë derisa të shkrihen me njëra tjetrën duke krijuar një salcë.

Shtoni nga pak qumësht të ngrohtë dhe përzjeheni vazhdimisht në mënyrë që salcë të mos bëhet me kokërriza.

Përzjeheni derisa salca të trashet dhe të bëhet kremoze.

Më pas, largojeni nga zjarri, shtojini dy të verdhat e rrahura të vezës dhe përzejeheni shpejt që të mos pritet. Shtoni kripë, piper.

Pasi të keni bërë gati gati salcën me mish të grirë dhe kremin e qumështit. Mbushni një tenxhere me ujë, hidhini pak kripë vendoseni në zjarr dhe sapo uji të nisë të vlojë shtoni aty makaronat.

Lërini të ziejnë për maksimumi 3-4 minuta. Më pas, largojini makaronat nga zjarri dhe kullojini.

Në një tas shtoni dy vezë dhe përzjeini me djathin e bardhë. Me këtë masë lyeni makaronat që sapo keni kulluar.

Më pas, lyejeni tepsinë me gjalpë në të gjithë sipërfaqen e saj, shtoni makaronat e përzjera me djathin e bardhë dhe vezët. Shtoni sipër salcën me mish të grirë dhe më pas shtoni në të gjithë sipërfaqen kremin e qumështit dhe spërkateni me djathin kaçkavall të grirë.

Futeni të piqet në furrë të parangrohur në 200 gradë për 40 minuta derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë të artë.

Pasi të fikni furrën lëreni të ftohet për 30 minuta e më pas shërbejeni

Përgatiti  Etleva Hoxha

Author: jehona