“Rama, servil i Vuçiçit”, Idrizi: Kryeministri është angazhuar në ndarjen e territoreve të Shqipërisë e Kosovës, tregoi arrogancë me Vjosa Osmanin

144

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për vizitën e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Tiranë, tha se kryetarja e shtetit më të ri në Ballkan dha mesazhe të mëdha në parlamentin shqiptar.

Idrizi theksoi se Shqipëria duhet të tregojë kujdes edhe me Mini-Shengenin Ballkanik, pasi është Serbia ajo që përfiton shumë.

“Vizita e presidentes së Kosovës në Shqipëri është historike, aq më tepër e zonjës Osmani, që vjen në një moment historik e delikat, për shkak të situatës ku ndodhet Kosova. Osmani dha mesazhe të mëdha. Ajo që i ka rënë të gjithëve në sy është mungesa e kryeministrit, kur Osmani mbajti fjalën shumë të rëndësishme. Rama tregoi arrogancë e mos-përfillje.

Osmani përmendi koncesionin në Rrugën e Kombit, që është tejet anormal. Shqipëria duhet të mbështesë Kosovën. Shqipëria duhet të ketë kujdes me Mini-Shengenin, ku Serbia përfiton shumë, sepse ka ekonomi shumë më të fuqishme”, tha Idrizi.

Shpëtim Idrizi deklaroi se Rama duket se respekton më tepër mikun e tij Vuçiç.

“Rama është investuar edhe në ndarjen e territoreve të Shqipërisë dhe Kosovës. Edi Rama kishte marrë numrin e telefonit të Mihajloviçit, që ka qenë mbështetës i Arkanit. Rama është servil ndaj të huajve dhe ndaj Vuçiç. Ne jo vetëm të dënojmë krimet serbe, por edhe ata greke ndaj Çamërisë. Rezoluta për të dënuar krimet serbe është i munguar. Nuk mund të akuzohen shqiptarët, për shkak të një libri të Carla Del Pontes. Raporti i Dick Martyt u bazua në këtë libër. Duhej ngritur muze në Prishtinë për gjenocidin serb”, u shpreh Idrizi.

(d.xh/ Balkanweb)