-Mall dhe brengë-
Guhaku përshkon përmes qytetin tim,
Përfund Osumi ditënatë gurgullon,
Rrepet fletëgjerë me fëshfërimë
Mbarë Çorovodën e ledhatojnë.
…
Pallati brengosur kujton amatorët
E jetën plot vrull , shkëlqimin që pati,
Pas pune i pret t’i vijnë punëtorët
E grupet me këngë e valle nga fshati.
…
Hej, Rike , ti Ylli, ti Bardh , Asqeri,
Ku është muzika pse vallja nuk dridhet ?
Nxirrni orkestrën në shesh përsëri,
Hapeni skenën , qyteti të mblidhet !
…
Akaciet buzë rrugësh, në ditë pranvere
E mbushin qytetin e grilltë me aromë,
E stina e re kjo stinë shend e verë
Hap gjirin e saj, të fton : – Gëzomë!
…
Rrugicat e kalldrëmta plot zigzake
Sot prapë më ftojnë si atëhere,
Kur çuna ishim , të vegjëj e njomëzakë
E bridhnim e loznim me potere.
…
Gjimnazi në qendër është krenar,
Se ish dhe është akademia
Për djemtë e vajzat në Skrapar,
Aty buroi drita, dituria.
…
Në ballë të tij – Qani urtësia,
Tekiu i madh në krah i qëndron, 1)
Rreth tyre krenarë e mbarë mësuesia
Që tërë Skrapari me shpirt e nderon.
…
Në kodër lart bijtë e lavdisë.
Dëshmorët, që kurrë s’e mbyllin synë,
Gjithmonë në roje të lirisë
E neve na kujtojnë se ky është guri ynë .
…
Spitali i heshtur si stallë boshatisur.
Heronjtë doktorë kanë ikur, janë tretur.
Një rreth i tërë sot është braktisur
Shtet’ i vërtetë është vrarë, ka vdekur
…
Unë tek Sorkadhja pi kafenë
Ashtu përmalluar për gjithçka,
Bashkëqytetarët të qetë vijnë e venë,
Të gjithë tek ura shkojnë ata.
…
E mirëmëngjesin kaq thjesht e urojnë,
Thua se mbrëmë kanë flejtur pranë e pranë,
Tek “bishti” i urës ku kalojnë,
Pjesëtarë të një familje sikur janë.
…
O njerëz shpirtbardhë xhevairë
Që rrit qyteti mbi shkëmbinjtë gur e grill,
Më ini kaq të thjeshtë e shpirtmirë,
Tomorrin e kini kuran edhe ungjill.
…
Atij i faleni me shpirt ju ditë përditë,
Ai është i madhi Zoti i Skraparit,
Atje kanë strehën të gjitha perënditë,
Atje është nderi dhe besa e shqiptarit.
…
Ndaj shpirti juaj mirësi
Buron e dashuri rrace fisnike,
Që mikun e pret me këngë e dolli
Edhe pse vetë përditë ha misërnike.
…
Përpara jush përkulem, me nderim
Dhe unë vëllai juaj skraparli,
Aty mes jush, unë mbushem me gëzim,
Marr forcë e shpresë e bëhem djalë i ri.
Tomorr Celibashi
Shënim i autorit
1) Hajri Xhamëni, Ylli Qafoku, – punonjës të shtëpisë së kulturës të seksionit të muzikës , Fatbardh Dyrmishi koreograf, Asqeri Jaubelli – një nga drejtorët organizatorë më të suksesshëm , që i dha hov zhvillimit masiv të të gjithë profileve të kulturës .
2) Qani Zaimi dhe Teki Bregu, dy nga ish drejtorët më të suksesshëm të gjimnazit të Çorovodës, ikona të arsimit në Skrapar.