Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret që ndalon furnizimin me naftë të papërpunuar ruse për kompanitë dhe qytetarët e huaj që respektojnë kufirin e çmimit tavan prej 60 dollarësh për fuçi të vendosur nga aleatët perëndimor, i miratuar më 2 dhjetor.
Qeveritë perëndimore po synojnë kufizimin e çmimit të eksporteve të naftës ruse, si përpjekje për të kufizuar të ardhurat nga karburantet që e mbështesin buxhetin e Moskës, ushtrinë e saj dhe pushtimin e Ukrainës.
- Ndalimi do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt dhe do të mbeten në fuqi deri më 1 korrik, sipas dekretit të nënshkruar nga Putin më 27 dhjetor.
Dekreti nuk vlen vetëm për naftën, por edhe për produktet e naftës, megjithatë Qeveria do të përcaktojë veçmas datën nga e cila do të ndalohet shitja e këtyre produkteve me çmimin tavan.
Dekreti, i publikuar në një portal qeveritar dhe në faqen e internetit të Kremlinit, u prezantua si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj “veprimeve që janë jomiqësore dhe kundërshtuese me të drejtën ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare që u bashkohen atyre”.
Dekreti thotë se dërgesat e naftës dhe produkteve të naftës ruse për subjektet dhe individët e huaj “janë të ndaluara, me kusht që në kontratat për këto furnizime, të parashikohet drejtpërdrejt ose indirekt përdorimi i një mekanizmi maksimal të fiksimit të çmimit”.
- Çmimi tavan u prezantua në shtator nga shtetet e G7-ës (SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian) në përpjekje për të goditur aftësinë e Rusisë që të financojë luftën e saj kundër Ukrainës.
Qëllimi është që të dëmtohen financat e Moskës duke shmangur një rritje të shpejtë të çmimit të naftës, krahasueshëm me atë nëse nafta ruse do të hiqej papritur nga tregu global.
- Kjo masë ua ndalon shteteve që të paguajnë më shumë se çmimi tavan për një fuçi – 60 dollarë – për eksportet e naftës së papërpunuar ruse, që transportohet përmes detit.
Në fillim të dhjetorit Bashkimi Evropian miratoi çmimin tavan – që kërkonte miratimin e të gjitha shteteve anëtare – pasi bindi Poloninë që ta mbështeste këtë masë.
Polonia njoftoi se do të mbështeste masën pasi u sigurua se çmimi tavan do të mbetet 5 për qind më ulët sesa niveli në tregje.
Është raportuar se BE-ja dëshironte të vendoste çmim tavan prej 65-70 dollarësh, por ky propozim u refuzua nga Polonia, Lituania dhe Estonia, që argumentuan se ishte një çmim i lartë.
Ukraina përshëndeti vendosjen e çmimit tavan ndaj naftës ruse, por tha se ky çmim duhet të ulet në 30 dollarë për të goditur edhe më shumë ekonominë ruse.
Para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit, mbi gjysma e eksporteve të naftës në Evropë vinte nga Moska. Gjermania ishte importuesja kryesore, pasuar nga Holanda dhe Polonia.
Por, që nga nisja e luftës, shtetet e BE-së kanë tentuar që të ulin varësinë e tyre nga energjia ruse. Ndërkaq, SHBA-ja veçse ka ndaluar naftën e papërpunuar ruse./REL