Me datë 10 korrik 2023 në Insitutin e Albanologjisë në Prishtinë, Kosovë u mbajt për publikun kosovar promovimi i veprës monumentale të autorit poliendrik Vasfi Samim Visoka, vepra “Shqipërija e vërtetë” ”Nëna Kosovë (1938-1943)”, e botuar gjatë këtij viti nga fondacioni ‘Alsar’.
- Në një sallë të frekuentuar nga intelektualë , përfaqësues zyrtarë dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve të lidhura ngushtë me librin dhe dijen që buron nga vetë libri dhe me panelistë Drejtuesin e Insitutit të Albanologjisë z. Hysen Matoshi, Drejtuesin e fondacionit ‘Alsar’ z. Mehdi Gurra, z. Xhevdet Bashllari, z. Ibrahim Morina dhe akademikun Sadik Mehmeti.
Nga refleksionet e tyre, te pestë kumtuesit shprehën vlerësime maksimale për veprën patriotike të Vafsi Samim Visoka. Nga refleksionet e tij në raport me veprën “Shqipërija e vërtetë Nëna Kosovë (1938-1943)” drejtuesi I fondacionit ‘Alsar’ z. Mehdi Gurra u shpreh: ”I nderuar kryetar i Institutit Albanologjik të Prishtinës! Pjesëmarrës në këtë aktivitet promovues! E nis fjalën time me një përshëndetje për të gjithë ju, me besimin e plotë se botimi në paraqitje sot këtu e meriton kohën e vyer që i keni kushtuar!
Promovimi ka një përkim interesant, sepse gjendemi bash në kohën me kryefjalë sërish Kosovën, në një moment delikat të saj, kur së tepërmi vlejnë pjekuria e maturia, aq të nevojshme dhe të kërkuara nga çdokush dhe për çdokënd. Në këtë kuptim e krejt vetiu, botimi anastatik për Kosovën, i autorit Vasfi Samim Visoka, të ndjerit të ikur nga kjo jetë prej një kohe mjaft të gjatë, fiton një simbolikë të caktuar në kuadrin e ngjarjeve aktuale.
Është fat për Botimet ALSAR nxjerrja e veprës në çastin më të përshtatshëm, të etur për atë dashuri të pastër për këto troje që përcillet si jo më mirë në të. “Shqipërija e vërtetë – Nëna Kosovë”, shkruar nga dora e një ashiku si një simfoni prozaike, çau murin e heshtjes së krijuar prej dekadave nga botimi i parë dhe mbërriti në duar çmuesish të ndjenjave të sinqerta. Sepse bartëse të ndjenjave të tilla të pastra janë faqet e dedikimit të ndjerë e mahnitës për “gjysmën e trupit të mëmëdheut”. Një përshkrim romantik i epërm, me fjalë të zgjedhura, buruese prej shpirtit të eruditit gjenial.
- Vasfi Samim Visoka qe njeri i pasioneve të mëdha, siç na e thotë qartë e bindshëm trashëgimia e lënë, ku Kosova kishte vendin e saj. Jeta e tij tërë gjallëri nga ushtrimi i dhuntive të shumta intelektuale do të provonte për një periudhë frenimin prej hekurave të qelive të regjimit komunist të pas ‘44-ës edhe për shkak të këtij libri, ndonëse shkruar veç me ndjenjën dhe qëllimin sigurisht të mirë.
Hiperbolizimet janë të pashmangshme në ngjarje të kësaj natyre, si ky promovim botimi, por autori i përket vërtet një soji në shuarje. Vasfi Samim Visoka bëri shumë gjëra në qëndrimin e tij në këtë botë në shekullin e kaluar, ashtu si shumë të tjerë të së njëjtës epokë. Personalitet i veterinarisë dhe poliglot, sportist dhe artist, i dhënë pas teatrit dhe fjalës së shkruar, publicist prodhimtar dhe mësimdhënës, njeri i shkencës dhe i kulturës njëkohësisht, ai i përngjau një miniere ari me pasuri të pambarimtë.
Përpos këtyre, ky libër dëshmon cilësitë e tij të larta atdhetare, shprehur përmes shpërthimesh vullkanike nga shpirti, lavën e nxehtë të të cilave jemi në gjendje ende ta prekim. Do të ishte e padrejtë t’i vihej në pah atij përshkrimi emocional mbi Kosovën e të mos i përmendeshin idetë e koncentruara dhe qëndrimet në kufijtë e ideales në kontekst kombëtar, si ndërsa shkruan në mënyrë të përsëritur në libër, për shembull, se “Çdo njeri duhet ta dijë se ne nuk duam as një Shqipëri të vogël dhe as një Shqipëri të madhe, por duam vetëm një Shqipëri të vërtetë!” “Në Kosovë,” na ka kujtuar ai, “gjendet vuajtja e kombit, rapsodija, melodija, poezija e tragjedija e jonë e përgjakshme.” Tek e krahason Kosovën me diellin e jetës për ne, në kufirin e saj, sipas tij, “e sheh në mënyrë më të qartë se ç’është Shqipëria e kombi atnor…”
Mes radhëve të fjalëve të përzgjedhura nuk mund të të ikë pa u veçuar një kumtim I mrekullueshëm dashurie, unikal, një prej domethënieve për sipërmarrjen e këtij botimi: “O Kosovë… Tani të dashuroj më tepër se çdo herë, por jo si një shovenist i verbër, jo si një nacionalist i flakët, por të dua më tepër si një njeri i thjeshtë, si një njeri që adhuron të drejtën!” Vlerë të madhe i kanë dhënë dhe i japin veprës sugjerime dhe porosi të autorit, ndër të tjera detyra për intelektualët dhe djalërinë, për “punë, energji, … dhe një ideal të lartë,” apo theksime si ai për gjërat e nevojitura për lartësimin kombëtar, “libra e shkolla, maqina dhe industrira, ndërtime botore, grua e burrë punëtorë, … dhe një shoqëri e gjallë produktive, gjithnjë e gatshme për çdo përparim e mbrojtje të atdheut”
Pas përfundimit të kumtesave nga 5 panelistët, vepra “Shqipërija e vërtetë” ”Nëna Kosovë (1938-1943)” djali I autorit Vasfi Samim Visoka, Genc Samimi mbajti një fjalë falenderuese për publikun kosovar dhe për organizatorët e këtij evenimenti. Gjithashtu në shenjë përkujtimi mbi përpjekjen letrare të intelektualit Vafsi Samim Visoka, nga fondacioni ‘Alsar’ publikut të pranishëm në sallë i’u dhuruan 50 kopje të veprës në fjalë.