POETËT në Odën e MIQËVE

POEZI nga Rexhep POLISI

AROMË GRUAJE

Ka ditë, muaj e vite që ec në ajër drejt teje.

Ec bashkë me mendimet e bukura për ty,

Eci dhe përndrihem nga mijëra diej

Si një mal i lartë deri në yjësi…

Lumi që gjarpëron në trupin tënd,

Më mbyt, më zhyt në drithërime.

Kjo lojë e çmendur krejt më çmend

Nën rrahjet e zemrës me gjëmime!

 

MBRËMJE PA KTHIM

Gjithçka që përjetuam bashkë

Ka mbetur aty, në kujtesën e ajrit,

Ajri thartohet nga mungesa e gjatë,

Ndërsa netët ikin nëpër natë…

I gjakosur jam nga shenjat

Që ti le në ajrin e athët.

I rrethuar me vështrime

Që s’u bënë kurrë sy më sy.

Në qiellin pa hënë asgjë s’pipëtin,

Veç liqeni valëvitet në ujin e tij…

Ka mbetur si gjurmët që lamë pas,

Kujtimi i asaj mbrëmje pa kthim

Author: jehona