Pashko Vasa, rilindasi që mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar

Sot, përkujtojmë 130-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ideologët e parë të saj, poetit dhe publicistit Pashko Vasa (Shkodër, 17 shtator 1825 – Bejrut, 29 qershor 1892)

Lindi në Shkodër. Kreu mësimet e para në vendlindje dhe shërbeu si sekretar në konsullatën britanike. Më 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë në luftën çlirimtare të popullit të këtij vendi kundër zgjedhës së huaj. Kur shkoi në Stamboll zuri vende me rëndësi në administratën osmane. Në vitin 1878-1882 qe një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja shqip”. Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître”, Londër 1887).

Pashko  Vasa zuri një vend me rëndësi edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej, ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880).

Vdiq në Liban. Eshtrat u sollën në Atdhe më 1978 dhe prehen në Shkodër.

Moj Shqypni, e mjera Shqypni

O moj shqipni!

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,

Kush te ka qitë me krye n’hi?

Ti ke pas kenë një zojë e randë,

Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë t’mira e begati,

Me varza t’bukura e me djelm t’ri,

Gja e vend shumë, ara e bashtina,

Me armë të bardha, me pushkë ltina,

Me burra trima, me gra të dlira;

Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.

Kur kriste pushka si me shkrep moti,

Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti

Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun

E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.

Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,

I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;

Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,

Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?

Po sikur lisi i rrxuem përdhe,

Shkon bota sipri, me kambë, të shklet

E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.

Si mal me borë, si fushë me lule

Ke pas qenë veshun, sot je me crule,

E s’të ka mbetun as em’n as besë;

Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,

Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;

Ca thone kam fè ca thonë kam din;

Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”

Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,

Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!

Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,

Për me ju damun me ju vorfnue!

Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,

Me ju turpnue me grue e motër,

E për sa pare qi do t’fitoni,

Besën e t’parëve t’gjith e harroni,

Baheni robt e njerit t’huej,

Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.

Qani ju shpata e ju dyfeqe,

Shqiptari u zu si zog ndër leqe!

Qani ju trima bashkë me ne,

Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!

E s’i ka mbetun as bukë as mish,

As zjarm në votër, as dritë, as pishë;

As gjak në faqe, as nder ndër shokë,

Por asht rrëxue e bamun trokë!

Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,

M’ata sy t’bukur q’dini me qa,

Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,

Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;

Ka mbet e vejë si grue pa burrë,

Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!

Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë

Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?

Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,

Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?

Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do

Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!

Para se t’hupet kështu Shqypnia,

Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!

Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:

Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,

Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,

Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë

Kush mos na e preki, se desim t’tanë

Të desim si burrat që vdiqnë motit

Edhe mos marrohna përpara zotit.

Pashko Vasa – 1878

Përgatiti Fiqiri Kasa Art

 

Author: jehona