Një nga portierët më të mirë të historisë së futbollit, Xhixhi Bufon, vendosi dje zyrtarisht të tërhiqet nga futbolli aktiv. Pas shumë rekordesh personale dhe me skuadrat ku luajti, dhe një karriere fantastike me përfaqësuesen e Italisë, ku doli kampion bote në vitin 2006, ai më në fund vendos të “pensionohet”.
- Xhixhi tërhiqet nga futbolli në moshën 45-vjeçare. Njoftimi zyrtar erdhi përmes llogarive të portierit në rrjetet sociale. “Mbaron këtu. Ti më ke dhënë gjithçka. Unë të dhashë gjithçka. Ne fituam së bashku,” shkruante Bufon në një postim, shoqëruar me një video me të gjitha bëmat në karrierën e tij 28-vjeçare, nga fillimet e tij me Parmën e deri te triumfet me fanellën e Juventusit dhe të kombëtares, që kulmoi me fitoren e Kupës së Botës në vitin 2006. Portieri përfundoi më herët kontratën me Parmën, e cila do të skadonte në vitin 2024. Bufon pritet të emërohet kreu i delegacionit të kombëtares së drejtuar nga Roberto Mançini. “Njëzet e tetë vjet karrierë më duken një rezultat i pabesueshëm, pothuajse i paimagjinueshëm, mbi të gjitha për vazhdimësinë e performancës së treguar në pothuajse tri dekada. Ky, për mendimin tim, është aspekti që përcakton më shumë vlerën e një karriere sportive, ky është rasti im”. Me këto fjalë Xhixhi Bufon ka komentuar lamtumirën e tij nga futbolli i luajtur në faqen e Parmës. “Kam vënë kaq shumë pasion, përkushtim, entuziazëm dhe lumturi në futboll, saqë duke parë mbrapa, mund të them se me të vërtetë “fluturuan” 28 vjet.
Mes këtyre dy datave (19 nëntor 1995 dhe 30 maj 2023, debutimi në Serinë A dhe ndeshja e fundit në B) është historia ime e futbollit dhe historia ime sportive. Por edhe historia e atyre që me brohoritje, me lot dhe me dashuri më kanë mbështetur në këto 28 vite”, nënvizoi Bufon.
“Gjithashtu dua të falënderoj Parmën dhe njerëzit e saj, sepse ata me të vërtetë më kanë bërë të ndihem kaq i dashur në këto dy vite: presidenti Kyle Krause, një nga njerëzit më të mirë që kam takuar në botën e futbollit, dhe drejtorët e klubit, që më ofruan menjëherë një rol drejtuesi”, përfundoi Bufon.
- Xhixhi e bëri debutimin në futbollin profesionist në Parma në moshën 17 vjeçare në vitin 1995, ndërsa katër vjet më vonë e fitoi Kupën e Italisë, Kupën UEFA dhe Superkupën e Italisë me këtë klub.
Ai u transferua në Juventus në vitin 2001 për 52 milionë euro, në atë kohë rekord botëror për një portier. Me Juventusin, Bufon i ka fituar 10 tituj të Serie A në 19 sezone, si dhe kampionatin Serie B në sezonin 2006-07 kur klubi ishte përjashtuar nga Serie A shkaku i përfshirjes në skandalin Calciopoli.