Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ka shpallur Bashkimin Evropian një “projekt të dështuar” në formën e tij aktuale, raporton agjencia “Associated Press”.
- Partia politike euroskeptike ka miratuar programin e saj për zgjedhjet e Parlamentit Evropian të qershorit të ardhshëm, në të cilin thotë se BE-ja ka “dështuar plotësisht” në të gjitha fushat e rëndësishme, përfshirë migracionin dhe politikën klimatike, dhe ka refuzuar euron si monedhë.
Partia megjithatë hoqi dorë nga kërkesa për daljen e Gjermanisë nga BE-ja. Në vend të kësaj, AfD-ja bën thirrje që Bashkimi Evropian të rithemelohet si një “federatë e kombeve evropiane”, raporton agjencia Dpa.
Sipas programit elektoral, detyrat kryesore të federatës së re duhet të jenë mbrojtja e kufijve të jashtëm kundër migracionit, autonomia strategjike në politikën e sigurisë dhe ruajtja e “identiteteve të ndryshme” në Evropë.
- Sondazhet e fundit tregojnë se mbështetja e AfD-së është rritur në 19 deri në 22 për qind, duke e bërë atë partinë e dytë më të fortë në Gjermani.
Programi i miratuar të dielën në Magdeburg është më i moderuar ndaj BE-së sesa projekt-programi i qershorit, në të cilin AfD-ja tha se do të kërkonte një “shpërbërje të rregullt të BE-së”.
Disa zyrtarë të AfD-së kanë shprehur më parë dëshirën që Gjermania të largohet tërësisht nga BE-ja.
Megjithatë, programi i ri thotë se AfD-ja mbështet idenë e një “bashkësie evropiane të shteteve sovrane, demokratike”.
- Partia ka finalizuar gjithashtu listën e saj me 35 kandidatë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian të vitit të ardhshëm.
Maximilian Krah, anëtar i PE-së që nga viti 2019, u zgjodh fundjavën e kaluar si kandidati kryesor i AfD-së me 65.7 për qind të votave.
Anëtarët kryesorë të AfD-së folën të dielën kundër bashkëpunimit me bllokun kryesor konservator të opozitës në vend, Bashkimin Kristian Demokrat (CDU) të ish-kancelares Angela Merkel.