( Malet s’pyesin për përrenjtë…”)
Dritëro Agolli
Të dua Dritëro, dhe të kam dashur
Edhe kur ke folur, edhe kur ke shkruajtur.
…
Po me këtë varg gabove, s’the gjë hiç…
Po deshe hajd’ të shkojmë në Tomorricë.
…
Merr për dëshmitar dhe Xhevahir Spahinë,
Dhëmbjemadhin skraparlli, zemërflorinë.
Të shohim përrenjtë ç’gjëmë kanë bërë,
Se si në lumë çojnë male të tërë.
…
Nga Zhepa, Greva, Gjerbësi, Kovaçanji,
S’po mbetet Dritëro, as nami, as nishani.
…
Shtëpi e pemë e gardhe apo ara,
Përrenjtë e sertë i kanë vënë përpara.
…
Nuk ka një burrë që t’u presë vrullin,
Se burrat Tomorricës po i humbin.
…
E lanë kazanin dhe pa zinxhir rakinë,
Tek vatra veç kërcunj të shojtur nxijnë.
…
Ikën Dritëro, lanë tokat dhe kasollet,
Te varri Demir Zykos i dhemb e kollet.
…
U shpërndanë Tiranës, Fierit e Spitallës,
Menduan se atje ish kok’rr e pallës.
…
Po edhe atje ka baltë verës apo ngricës,
Veç s’është e ëmbël si balt’ e Tomorricës.
…
E kur shtrihen, veshët u gjëmojnë e rrinë pa gjumë,
Se përrenjtë e Tomorricës u bëjnë zhurmë.
…
E sytë kur i mbyllin shohin male,
Që përrenjtë i rrëmbejnë nëpër valë.
…
E qajnë kur bien gjumë, madje dhe ulërijnë,
Dhe shajnë qeverinë, mallkojnë varfërinë.
…
Eh mor Dritëro, ç’gjëmë e madhe,
Po ndodh në Tomorricë, në ato male!