Ne Greqi ka 696 fshatra shqiptare

Nga Prof. PETER PRIFTI

San Diego, California
Shkurt, 1996

Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3 milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip.

  • Çfarë zbuluan dhe dokumentuan priftërinjtë arbëreshë Antonio Belushi dhe Jani Kapareli nga viti 1965 deri në 1995. Rrënjët arbërore që zgjaten deri në Athinë dhe represioni i autoriteteve greke në vite

    DOKUMENTI

    Recensioni i prof. Peter Priftit (1924-2010) mbi veprën “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Helladhë”*. Vepër e Papa Andon Bellushit, botuar me 1994

Faksimile e kopertinës së librit të Antonio Bellusci-it “Ricerche e studi tra gli arberori dell’ Ellade – Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia (Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Greqisë – prej rrënjës arbëreshe në Itali në mëmëzën arbërore në Greqi)

Duke filluar nga viti 1965, autori i kësaj vepre “fotografoi” gjuhën dhe zakonet e arbërorëve me kujdesin dhe ndërgjegjen e shkencëtarit, duke i inçizuar me trak. Gjatë afro 30 vjetëve ai mblodhi një thesar të dhënash mbi historinë dhe folklorin e arbërorëve: përralla, legjenda, fjalë të urta, mallkime, këngë dhe bisedime – trashëgim kulturor ky i ruajtur shekuj me radhë. Regjistrimet e bisedave dhe këngëve përbëjnë material të pastër etnografik, sepse Bellushi i la njerëzit të flisnin dhe të këndonin shqipen që dinin. Pra, i mori ato dhe i botoi në këtë libër ashtu siç ia dëgjoi veshi, pa i korrigjuar, pa i ndryshuar.
Ja, disa nga rezultatet e punës së palodhur që bëri në Greqi.

  • Sa shqiptarë ka në Greqi, nuk dihet saktësisht. Po një arbëror i shkolluar në Athinë i tha autorit se në Greqi ka 3 milionë “arvanitë”, veçse jo të gjithë flasin shqip. (f.59) Libri ka një listë të gjatë të krahinave dhe fshatrave ku banojnë arbërorët – 696 fshatra në nja 15 krahina. Në këtë listë gjen emra fshatrash si Qiuteza, Vithkuqi, Blushi, Matranga, Variboba, Dara, që dëshmojnë për lidhjet e tyre me fshatrat e Shqipërisë, si edhe me emra të njohur të arbëreshëve në Itali.
  • Bellushi u njoh mirë me kulturën e lashtë të arbërorëve. Besa e shqiptarit, thotë ai, rron në trojet e shqiptarëve të Greqisë. Ata krenohen me këtë kryevirtyt të racës shqiptare, të cilën e shprehin me frazën, “arvanit-besalith”. Ne “nuk themi fjalë në erë”, i tha një arvanit papa Bellushit. (f.135) Për të zbuluar botën e tyre të përditshme në mënyrë më të imtë, Bellushi i pyeti arbërorët për gjërat më të thjeshta. “Si e bëni bukën, djathin? Si i punoni vreshtat? Si i rrjepni dhitë? Si i ruani bagëtitë nga ujqit?” Pastaj pyet çfarë zogj kanë andej, si u thonë maleve që kanë afër, cilët janë katundet arbërore rreth e përqark? I pyet, gjithashtu, të recitojnë numrat (l,2,3…), ditët e javës dhe muajt e vitit. Përgjigjet që mori ishin pothuaj të njëjta nga një krahinë te tjetra, gjë që tregon se në thelb kultura e shqiptarëve në Greqi është e njëjtë kudo. Autori mblodhi me qindra këngë, shumica e të cilave bëjnë fjalë për dashurinë.
Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet. Edhe emrat shqip të fshatrave të tyre nuk i durojnë, dhe i kanë ndryshuar e u kanë vënë emra greke. (Megjithatë, populli vazhdon të përdorë emrat e tyre të vjetër shqip). Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare. Përgjigjen shqiptarët: “Një e rremë e madhe! Në Korinth, në Beoci, në Atika, në Eube, në Argolidhë, në More, në Thebe arbërorët i gjen si milingonat nga të gjitha anët”.
Arbërorët e dinë mirë rolin e shqiptarëve në Revolucionin për Pavarësinë e Greqisë. “Greqinë e kanë ngjallur arbërorët”,-  thonë ata me këmbëngulje.

Por kjo e vërtetë historike nuk u bën përshtypje grekëve. Ata e mohojnë kombësinë shqiptare të herojve të revolucionit grek si Boçari, Miaulli, Xhavella, Kollokotroni, etj. duke thënë se ata ishin grekë që kishin mësuar të flisnin shqip!! Më e keqja është se ka edhe arbërorë që s’duan të thonë se janë shqiptarë. E mohojnë kombësinë e tyre dhe zemërohen po t’ua kujtosh.

Author: jehona