Ndarja nga jeta e profesor Adem Mezinit/ Mesazh ngushëllimi nga Meta: Na i kthente në leksion jete edhe momentet e qëndrimit me të jashtë auditorëve

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të profesorit të Historisë Adem Mezini. “Me zërin e veçantë e imponues, na i kthente në leksion jete edhe momentet e qëndrimit me të jashtë auditorëve”, shprehet kreu i shtetit duke kujtuar vitet si student.

“Lamtumirë i dashur Profesor! Të preheni në paqen e merituar dhe i paharruar kujtimi Juaj!”, e mbyll Meta mesazhin e tij të ngushëllimit.

Mesazhi i plotë

Ndihem thellësisht i keqardhur për ndarjen nga jeta të pedagogut veteran të Departamentit të Historisë dhe njërit prej Profesorëve të mi shumë të dashur e të respektuar, Prof.Dr.Adem Mezinit.

Ndihem me fat, që kam qenë ish-student e mik i Prof.Dr. Adem Mezinit dhe ruaj kujtime të paharruara, jo vetëm për aftësitë e Tij të spikatura pedagogjike, por edhe për komunikimin tepër të ngrohtë e njerëzor, si një erudit brilant, i cili rrezatonte kurdoherë mençuri e mirësi dhe që me zërin e veçantë e imponues, na i kthente në leksion jete edhe momentet e qëndrimit me të jashtë auditoreve.

Ndaj dhimbjen e madhe dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Mezini, të afërmve, gjirokastritëve të Tij të dashur, komunitetit të nderuar të historianëve, si dhe të gjithë brezave të studentëve të edukuar prej Tij!

Lamtumirë i dashur Profesor!

Të preheni në paqen e merituar dhe i paharruar kujtimi Juaj!

Author: admin