Drejtoria Portuale e Vlorës nisur nga parashikimet meteorologjike ka dhënë urdhër për ndalimin e daljeve në det për një kategori të caktuar mjetesh lundruese duke përfshirë anijet e vogla dhe ato të peshkimit.
- Sipas kësaj drejtorie, në datat 25-26 shkurt do të ketë përkeqësim të motit në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj, duke filluar nga ora 22:00 datë 24 shkurt 2023 në drejtimin Jug-Jug-Lindje në forcën deri 6bft me shpejtësi ere deri 15m/s, dhe lartësi dallge deri 2.50m brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën 7-8bft me shpejtësi ere deri 30m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 3.50 metra.
“Është ndaluar dhënia e leje – nisjes gjatë datave 25 – 26 shkurt 2023 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit që operojnë jashtë gjirit të vlorës dhe janë njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e tyre. Mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë brenda gjirit të Vlorës të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuara dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre”, thekson Drejtoria Portuale e Vlorës.
- Drejtoria Portuale e Vlorës ka njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për merrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 25-26 Shkurt 2023.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas datës 27 Shkurt 2023 ora 06:00. ATSH