Në fund të vitit 1962, (fillim viti 1963) nisën punimet për ndërtimin e 13 tuneleve të quajtura ndryshe si Tunelet e Pirogoshit. Shfrytëzimi i një sipërfaqeje prej gati 13 hektarë e gjitha nën tokë, do të finalizohej në vitet 1979-1980, vite këto që konsiderohen si vitet e hapjes së tuneleve të Pirogoshit. Për banorët kjo zonë ishte e pafrekuentueshme pasi kishte një rëndësi të madhe e strategjike ushtarake, pasi këtu sistemi i asaj kohe, duke i dhënë prioritet mbrojtjes (qoftë kjo edhe në rreziqet imagjinare të sulmeve armike), depozitoi një sasi armatimi që mund të furnizonte gjithë vendin në rast lufte për 6 muaj të tërë. Këto tunele funksionuan deri në mesin e dekadës së dytë të viteve 2000. Pas viteve 2015 këto tunele u bënë të mundura gradualisht të vizitoheshin nga turistët vendas e të huaj. Por edhe pse janë të futura në mesin e vendeve dhe destinacioneve turistike për tu vizituar në Skrapar, pamja e vetme që ofrohet tani, është ajo e një vendi të braktisur, që shkatërrohet gradualisht, e që vështirë se pa politikat e duhura do të josh turistë, të cilët në të shumtën e rasteve hasin thjesht një objekt të braktisur por nuk mundet të mësojnë asgjë rreth historikut të tij.
Nga Corovodaonline