Ka lindur ne Gjirokaster, në vitin 1968. Ka mbaruar shkollen e mesme “Asim Zeneli” Gjirokaster. Në arkivën krijuese numëron mbi 130 krijime poetike nga të cilat 50 i ka të botuar në librin “Labirint” që e ka botuar në maj të viti 2023 . Aktualisht jeton se bashku me familjen e saj në Athinë .
MIMOZAT E PORTRETIT TIM
Qetësi marramendëse në dhomën time,
një mesnatë nga të tjerat disi ndryshe…
Syte e mi humbur te korniza përballë,
Pse m’u duk befas se aty ishe ?
Shkund veten e tëra dhe të pyes:
– Është vonë, nuk ke fjetur akoma…! ?
Përgjigje kërkoj në sytë e tu.
Si t’i mposht ndryshe orët e vona ?
Jo, aty s’mund të ishe ti. U marrosa ?
Aty ku portreti im ishte dikur,
ti vetë e zgjodhe fotografinë time,
me ngjyrë të verdhë kishe lyer atë mur.
Ty mimoza të pëlqente të pikturoje,
me ato e rrethove portretin.
Dikur qeshja me shpirt kur më thoshje:
– Do doja me të verdhë ta pikturoja detin.
KOKËPOSHTË
Vendosa t’i shoh gjërat kokëposhtë:
Qielli misterioz që është poshtë meje
nuk ka harruar të marrë me vete yjet.
Nën këmbët e mia edhe gjallërimi i reve.
Shoh silueta kokëposhtë si në një shfaqje cirku,
gjethet e pemëve që ngjyhen në të kaltër.
Prek me ca gishtërinj abstraktë
ajrin që ka të njejtën rrahje krahësh.
Duke shijuar kokëposhtësinë mbyll lehtas sytë.
Lehtas prek ca germa gungëzvarritëse.
Përpiqem të shoh edhe një ëndërr të përmbysur,
por humbas mes zërave e mahnitjeve.