Me bomba mbi kokë, mes frikës, ankthit e pagjumësisë! Jeta në metronë e Kievit, mbi 15 mijë ukrainas në kushte të tmerrshme prej një jave

Ndërsa shkallët lëvizëse rrëshqasin disa metra në stacionin e fundit të metrosë, thellë në sistemin e transportit masiv të Kievit shfaqet një varg dyshekësh, valixhe dhe qese plastike të mbushura me ushqime. Hapësira është çuditërisht e qetë, pothuajse e heshtur, pavarësisht se ka rreth 200 njerëz, që janë fshehur aty për t’i shpëtuar bombardimeve dhe artilerisë ruse sipër.

Ata flenë tre ose katër veta në një dyshekë. Fëmijët luajnë me makina lodra mbi pllakat gri të granitit të kateve të stacionit, duke parë nënat e tyre që lëvizin pafund me celularët e tyre, duke kërkuar lajme për luftën.

Duart dhe këmbët e vogla dalin poshtë batanijeve, megjithëse është më ngrohtë në stacion, sesa mbi tokë. Vullnetarët shkojnë e vijnë, duke sjellë ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme për jetën. Një nënë ngre një tendë, për pak privatësi.

Nuk është aq komode”, tha Ulyana, e cila është 9 vjeçe dhe ka gjashtë ditë që jeton në stacionin Dorohozhychi, me nënën e saj dhe macen e tyre. “Por e shihni, kjo është situata dhe ne vetëm duhet të durojmë. Është më mirë të jesh këtu, sesa në luftë jashtë”.

Rreth 15 mijë njerëz, tha dje kryebashkiaku i kryeqytetit, shumica prej tyre gra e fëmijë, janë strehuar në sistemin e metrosë së Kievit për t’i shpëtuar bombardimeve ruse.

Dhe metroja nuk është streha e vetme nëntokësore. Mjekët në Maternitetin Nr. 5 në Kiev kanë ngritur dhoma në bodrum për t’iu siguruar grave një vend të sigurt për të lindur. “Deri më tani, pesë foshnje kanë lindur në këtë mënyrë”, tha drejtori i klinikës, Dmytro Govseyev.

Tetë ditë pas konfliktit, planet e luftës së Kremlinit mbeten të paqarta. Lëvizjet e tankeve, armëve, mjeteve të blinduara dhe armatimeve të tjera të rënda drejt Kievit, me një popullsi prej rreth 2.8 milionë banorë përpara eksodit të evakuimeve, po ngrenë alarmin për fillimin e luftimeve të përgjakshme në rrugë.

Por, Rusia, në vend të kësaj, mund të vendoset në një rrethim të ashpër të shoqëruar me granatime dhe ndërprerje të furnizimeve ushqimore, ujit dhe municioneve, me shpresën për të thyer rezistencën pa shkatërrim e vrasje në një sulm frontal.

Sido që të jetë, jeta nën tokë në Kiev, tashmë e vështirë, ka të ngjarë të bëhet edhe më e vështirë. Mbi tokë, ushtarët dhe vullnetarët ukrainas, të cilëve iu dhanë pushkët vetëm pak ditë më parë, ishin të zënë me përgatitjet për mbërritjen e rusëve.

Përgatitjet ishin të dukshme në pothuajse çdo rrugë: barrierat prej betoni bllokuan rrugët, gomat e ndezura për të formuar re tymi shtriheshin kudo dhe, me një zhvillim të ri dje, u vunë mina antitank në rrugë.

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 123456PreviousNext
Megjithëse shumica e njerëzve në Kiev mbeten në apartamentet e tyre, mijëra të tjerë kanë zgjedhur të fshihen nga rreziqet e luftës, duke u strehuar në sistemin e metrosë. Ata kanë jetuar për ditë të tëra në kushte të vështira, të gjithë bashkë gra e fëmijë të të gjitha moshave, së bashku edhe me burra të moshuar, që nuk mund t’i bashkohen luftës.

Olha Kovalchuk, një veterinere 25-vjeçare, dhe vajza e saj, Oksana, 18 vjeçe, studente e ekologjisë, kanë fjetur me radhë në një stol prej druri në stacionin Dorohozhychi. “Kjo është hapësira jonë”, tha znj. Kovalchuk. Për fat të mirë, sistemi i metrosë ka tualete publike, të pajisura mirë.

Udhëtimi me shkallë lëvizëse për në stacion zgjat rreth një minutë, por ndonëse trenat ende qarkullojnë në mënyrë sporadike, askush nuk shkon askund.

“Është keq për fëmijët”, tha zonja Kovalchuk, duke parë skenën. “Unë jam vetëm një veterinere, jo një mjeke, por e kuptoj sa keq është kjo për ata. Janë në stres. Ata qajnë natën”.

Zonja Kovalchuk tha se kishte qenë nën një stres të tillë, teksa flinte. Dhe ajo po ziente ndaj njeriut që filloi luftën, Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. “Nuk dua të betohem”, tha ajo, “Unë thjesht e urrej atë njeri me gjithë shpirt. Shikoni sa dhimbje na solli”.

Ditët e fundit, zyrtarët ukrainas u janë lutur vendeve perëndimore që të ndërhyjnë, duke vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, një kërkesë që është hedhur poshtë, sepse do të rrezikonte të shkaktonte konflikt të drejtpërdrejt mes NATO dhe forcave ruse.

Në stacionin e metrosë, Yulia Gerasimenko, një avokate që kishte punuar në tregun e pasurive të paluajtshme të Kievit, u zhvendos në metro me vajzën e saj, Ulyana, të enjten e kaluar në mbrëmje, në ditën e parë të luftës. Rastësisht, djali i saj 6-vjeçar kishte qëndruar me gjyshen e tij jashtë Kievit, kur filloi lufta. Ata ia dolën dhe tani janë në Gjermani. Burri i saj, një ushtarak me karrierë, po lufton me ushtrinë ukrainase. Ajo ishte e lumtur që djali i saj ishte i sigurt, tha ajo, duke shtuar se “Do të doja të isha pranë tij tani”.

(Marrë nga New York Times – përktheu BalkanWeb)./asutimes.com

Author: admin