Nga ROLAND QAFOKU
Kush ka qenë në ishullin Mannhattan besoj ka qenë i dyzuar me atë që ka ditur nga librat dhe atë që shikon vetë me sy. Në një sipërfaqe prej 87 kilometra katrorë, aty jetojnë 1.7 milionë rezidentë.
Ndërsa, çdo 24 orë e vizitojnë më shumë se 2 milionë turistë. “Wall Street”, selia e OKB-së, Broadway me 41 teatro, gazeta “New York Times”, “Metropolitan Opera” e shumë e shumë institucione të tjera, e kanë shndërruar këtë copëz tokë nga më të populluarën në planet dhe si kërthizën e botës financiare dhe kulturore.
- Kur je aty nuk kupton nëse je në ishull apo në kontinent. Se je në qiell, apo në tokë. Dhoma e hotelit tim ishte në katin e 40-të dhe nga dritarja duhet të ngrija kokën që të shikoja edhe 40 apo 50 kate të gradacielave të tjera. Aty nuk e kupton nëse është natë apo ditë, sepse gjithçka në 24 orë jete është njësoj. Të gjithë nxitojnë me një hap gati vrapues, përveç ndonjë ballkanasi që me duar prapa dhe sytë nga qielli çapitet qesëndi duke e zbuluar dukshëm orgjinën e tij.
Sheshi “Time Square” të jep përshtypjen se gjithçka në planetin tonë kryqëzohet aty. Për këtë arsye por edhe imagjinatës njerëzore atë e quajnë ndryshe edhe qendra e qendrës së Universit. Të gjitha këto më bënin shumë përshtypje në vitin 2001 kur e vizitova për herë të parë. Por më shumë se të gjitha këto, ajo që më la pa mend ishte subway. Në një moment pashë gjashtë trena që ecnin në gjashtë kate njëri mbi tjetrin njëkohësisht dhe të mendosh që kjo mrekulli inxhinierike funksiononte prej 100 vjetësh.
- Për mua ishte një imazh surreal. Manhattan është ndoshta nga të rrallët emrat vendas në SHBA që ka mbetur si kujtim nga tribuja indiane vendase me të njëtin emër që hollandezët kolonialë ua blenë në vitin 1626 vetëm për 24 dollarë. Po, po. Nuk ka asnjë gabim shtypi këtu, apo harresë zeroje. Një kompani hollandeze e bleu ishullin indianëve vendas për 24 dollarë, pikërisht atë që sot quhet zemra e planetit.
Pasi e ndërtuan si qytet, hollandezët i vunë emrin New Amsterdam, për nder të kryeqytetit të tyre duke i shtuar mbiemrin “i ri”. Por Mannhattan-i hollandez pati jetë të shkurtër.
- E gjithë toka kontinentale amerikane vlerësohej si pronë e kolonizatorëve angleze dhe mbreti Charles ia dhuroi ishullin vëllait të tij, Dukës së Yorkut. Pra, Mannhattan vërtetë ishte i pushtuar nga holandezët, por anglezët duhet ta merrnin sepse u përkiste atyre si pronësi. Ishte gati nisja e luftës, mes një grupi ushtarësh hollandezë që e mbanin dhe ushtarëve anglezë të shumë në numër me në krye Dukën e Yorkut. Por gjithçka u zgjidh në paqe duke detyruar hollandezët ta dorëzonin ishullin me ceremoni te anglezët.
Nuk ka asnjë shenjë nga ajo kohë përveçse fjalës “muri” të Wall Street, të cilin hollandezët e ndërtuan për të mbrojtur qytetin si dhe rrugës me emrin “Bouweries” për fermat që ata ndërtuan, por sigurisht që aty nuk ka asnjë fermë.
Në foton e parë e parë nga ajri mund të shikojmë me çfarë kufizohet ishulli. Është vlerësuar si një nga fotot me pamjen më të qartë dhe po bën xhiron e botës. Në të majtë me New Jersey. Përballë me Governors Island. Në të djathtë me Brooklyn. Dhe më tej me lagjet më pak të famshme Queens dhe Bronx. Mrekullia e natyrës aty janë dy lumenjtë East River dhe sidomos Hudson River që e ndan New Jork me New Jersey.