Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndodhet për vizitë zyrtare në Turqi ndërkaq në vazhdim të vizitës atje ka takuar edhe shkrimtarin e njohur Orhan Pamuk. Në një postim në rrjetin social Facebook ai shprehet i entuziazmuar për takimin me Pamuk, teksa thekson se shkrimtari ishte i interesuar për Kosovën dhe shqiptarët.
“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat.
Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”, shkruan Kurti.