KUJTIM HAJDARI, “disidenti” i POEZISE

Ka lindur në Hajdaraj(Lushnje) në vitin 1956. Pas një stacioni mërgimtar në Itali, prej shumë vitesh jeton në SHBA.

Profesor Kujtimi është një nga krijuesit  më të mëdhenj të Antologjisë “tonë”. Poetika e tij i tejkalon ato të një “jete” poeti.  Ka mbaruar studimet universitare për Gjuhë – Letërsi në Elbasan. Ka punuar mësues për lëndën gjuhë-letërsie.

Shkruan poezi në shqip, në italisht dhe kohët e fundit dhe në anglisht. Është pjesmarrës i mbi 54 antologji kombëtare e ndërkombëtare në tri gjuhë; shqip, italisht dhe anglisht

BOTIMET POETIKE:

“Mbrëmë isha pa ty”, “Do të vij natën”, “Emri i bukur dashuri”, “Do t’u them…”, “I dolori del cuore”(italisht), “Pse bëjmë kështu”, “Kur shkoj në fshat”, “Come i fiori di aprille”( italisht), “You are everywhere”(anglisht), “Udhëve të botës”, “Nëpër dallgët e jetës”

ËNDRRAT

Shpesh fluturova në krahët e tyre si i marrë,
Të shoh majat e maleve në rrezet e agimit,
Të ndjek dallgët e detit si zgalem në garë,
Dhe yjet të ndjek në rrugën e shkëlqimit.

Më dehën, shumë herë më zhytën në gëzim,
Kur mendoja se i kapa dhe i futa në dorë,
Kur dëgjoja këngët e tyre plot dridhërimë,
Kur zemra rrihte krahët si zog në kraharor.

Por ato iknin, fluturonin e zhdukeshin si era,
Si sirena që rrëshqasin në ujët e kthjellët,
Me shpresën e vrarë dhe me sytë te dera,
Lusja zotin unë e prisja si presin të mjerët.

Nga pritja, i dëshpëruar, shkoja në ullishtë,
O nën hijen e rëndë e të ftohtë të fikut të lashtë,
Dhe thoja se ëndrrat janë gënjeshtër me bisht,
Dhe pse pemët e kopshtit më shikonin vrazhdë.

Shpesh më zinte gjumi ëndrrat duke sharë,
Ato prapë më zbrisnin si shtojzavalle mali,
Dhe unë prapë i ndiqja, prapë si i marrë,
E fluturoja me to si erë, si në një revan kali.

Edhe pse shumë prej tyre vdiqën rrugëve,
I dhanë shpresë e dritë gjithmonë shpirtit tim,
Ndaj, o miqtë e mi, më përshëndetni muzgjeve,
Kur t’më shihni, me kalin e ëndrrave në fluturim.

KËNGËT

I kam dashur këngët shumë,
Qiellit, me flatra, i kam çuar,
Si valët turren me zhurmë e shkumë,
Shpirtëra e zemra kanë pushtuar.

Kur shpirti, dimrit, kishte ftohtë,
Era sytë më mbushte me lotë,
Kënga ishte një dorë e ngrohtë,
Që më kthente prapë në botë.

Si rreze drite në errësirë,
Si një shpresë që të mban gjallë,
Më jepnin forcë dhe dëshirë,
Të vija poshtë dhe një mal.

Tash, që lart më thërret një hënë,
Dhe një yll ma bën me sy,
Unë këngët prapë s’i kam lënë,
Prapë për to unë bëhem dy.

Në më lëntë zëri një ditë,
Drita e syvet të më fiket,
Do dëgjoni se në shpirt,
Kënga, kurrë, nuk do venitet.

PILOTI
Mos më prit sonte e dashur,
do jem në lartësitë qiellore,
ku hën’e bukur do ketë shfaqur,
fytyrën tënde ëngjëllore.
2
E di, me yjet do luash vonë,
mes tyre me ngjyra drite,
me sytë e kaltër më kërkon,
e më pëshpërit “Pse ike?”
3
Dhe gjumi do të marrë ngadalë,
në ëndrra të bukura do prehesh,
kur të vij do futem pa fjalë,
mes teje dhe ëndrrës që dehesh.
4
Kur ëndrra të zhduket, të humbi,
do thuash se ëndërr nuk qe,
kur sytë të hapësh nga gjumi,
të shohësh se përqafuar më ke.
5
Çarçafët si krahë avioni,
do bëjmë dhe qiellin do kapim,
dhe yjet të qeshur: “Ku shkoni?”
do pyesin dhe udhën do hapin.
6
Do të jetë vërtet udhë e gjatë,
po kur të prehemi të lumtur,
n’ëmbëlsinë e qiellit të shtatë,
do themi – sa shkurt na është dukur

Author: jehona