Nga Tomorr Celibashi
Kur më merr malli për Skraparin,
Në ballkon dal dhe tret vështrimin larg.
Një mal- maluc si xhuxh më del i pari,
Pas tij, vijnë radhë ca “malucë” varg…
Si xhuxhë më duken… Pa të keq unë qesh .
Përpara Tomorrit me borë plot shkëlqim,
Si brumbuj më duken, brumbuj në një shesh…
(Po, ç’faj ka “maluci”, që s’di mallin tim ?!)
Tomorri më përshëndet çdo ditë që me agim,
Kur dielli shkrep syrin si çapkën
Dhe skuq tërë horizontin në prarim
Plot mall e dritë dhe ditën orë ma bën !
Heeej ! T’i puthsha , Tomorr , ty gurët e bardhë
E rrëketë që varen shpatesh tatëpjetë
Nga kreshtat e larta drejt Osumit radhë !
O mal i bekuar ! O ëndërr ! O jetë !