Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi doli edhe sot në një konferencë për shtyp, ku foli edhe një herë për inceneratorët dhe evazionin fiskal që është bërë nga kompani të ndryshme.
Ajo u shpreh se ministrja e Financave e pranoi evazionin fiskal të 500 kompanive, por shtroi pyetjen: nesë janë audituar ndonjëherë nga kjo ministri inceneratorët?
“Ministria dje pranoi se qenkan 500 kompani të tilla, me disa që janë dënuar dhe disa jo. Por unë kam një pyetje! A ka audituar ndonjëherë Ministria e Financave inceneratorët e Fierit, Elbasanit, apo Tiranës. Nëse që prej 2015 këto kompani janë hetuar për shkelje në deklarimin e të ardhurave. Meqenëse inceneratori i Tiranës na doli menjëherë e foli së bashku me avokatin e inceneratorit, Erion Veliaj. Unë kam një pyetje për ta edhe Edi Ramën që është pronari i vërtetë i inceneratorit të Tiranës, pse keni frikë, pse nuk flisni për inceneratorin dhe investimet që keni bërë. Sot qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë paguajnë për investimin 128 milionë euro, me të vetmin kusht që është 29 lekë për ton. Nëse ky investim do të ishte i ndershëm Edi Rama dhe avokati i inceneratorit të Tiranës nuk do të kishin frikë të bënin transparencë. Transparencë po kërkojmë. Ajo që dua të kujtoj është se në çështjen e tmerrshme te evazionit fiskal, janë 4 pika të kodit penal që janë shkelur, ku përfshihet Klodian Zoto dhe gjithë skema mashtruese për të grabitur buxhetin e shtetit”,-tha Kryemadhi.