Krishtlindja nën spiralen e pandemisë, si u prit festa në SHBA dhe Evropë

169

Amerikanët e pritën Krishtlindjen me një bilanc të zymtë, kur infeksionet me koronavirus janë përhapur në të gjithë vendin.

Më shumë se një milion njerëz kanë marrë dozat e para të dy vaksinave që nga 14 dhjetori, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Por vaksinimet deri tani kanë pasur pak efekt në frenimin e sëmundjes.

Shtetet e Bashkuara regjistruan të mërkurën më shumë se 3,000 vdekje për të dytën ditë radhazi. Numri i të vdekurve në SHBA që nga shpërthimi i pandemisë në mars e ka kaluar shifrën 326,000.

Shtetet Tenesi dhe Kalifornia janë bërë epiqendrat e valës së fundit të COVID-19.

“Shteti ynë është bërë kuota zero e shtimit të rasteve me COVID-19 dhe ne kemi nevojë që banorët të bëjnë pjesën që u takon,” tha guvernatori i shtetit Tennessee, republikani Bill Lee, në Twitter. Ai u kërkoi njerëzve të mbanin maska dhe të shmangnin grumbullimet e mëdha gjatë pushimeve të festave.

Varianti i ri i koronavirusit përhapet në Evropë

Shteti Tenesi ka regjistruar 119 raste të reja për 100,000 njerëz gjatë shtatë ditëve të fundit, sipas të dhënave zyrtare. Kalifornia, shteti më i populluar i vendit, vjen i dyti me 105 raste për 100,000 njerëz. Rod Ajllënd dhe Arizona gjithashtu kanë njohur rritje të infeksioneve ditët e fundit.

Udhëheqësit politikë të shteteve dhe ata lokalë në të gjithë vendin u kanë kërkuar amerikanëve që të mos udhëtojnë për pushime, duke thënë se festimet e Falënderimeve e përhapën më tej virusin.

Shumë amerikanë, të lodhur pas më shumë se nëntë muaj bllokimesh, i kanë sfiduar paralajmërimet.

Udhëheqësit politikë janë vënë nën kritika nga të dyja anët e spektrit ideologjik për faktin që po vaksinohen para shumë të tjerëve.

Por edhe pse programet e vaksinimit u japin amerikanëve një arsye më shumë për të shpresuar, një variant edhe më ngjitës i koronavirusit po përhapet me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar.

Varianti i ri u diktua në Gjermani për herë të parë, tha të enjten landi gjerman Baden-Vyrtemberg.

Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga shumë vende, nuk i kanë ndaluar udhëtimet nga Britania, por guvernatorët e Nju Jorkut dhe shtetit të Uashingtonit kanë urdhëruar që udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar të hyjnë në karantinë pas mbërritjes.

Nju Jorku, epiqendra e mëparshme e pandemisë, ka regjistruar gjithsej më shumë se 36,000 vdekje nga COVID, shumë më tepër se çdo shtet tjetër në SHBA./VOA