Kolumbi/ Shembet tribuna gjatë ndeshjes së demave

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Kolumbinë qendrore, gjatë një ndeshjeje me dema. Tribuna e stadiumit u shemb dhe si pasojë të paktën katër persona u vranë dhe më shumë se 300 janë plagosur.

Pamjet e publikuara në mediat e huaja treguan tribunën trekatëshe prej druri të mbushur me spektatorë duke rënë në stadiumin në El Espinal. Njerëzit e frikësuar po përpiqeshin të largoheshin nga rrënojat.

Viktima të kësaj ngjarje kanë mbetur dy gra, një burrë dhe një fëmijë. Zyrtari shëndetësor i rajonit tha se spitalet kishin trajtuar 322 persona nga të cilët katër ishin në kujdes intensiv.

Ngjarja e së dielës ishte pjesë e festimeve të festivalit popullor San Pedro.

Presidenti në largim Ivan Duque tha se do të kishte një hetim për ngjarjen, ndërsa presidenti i zgjedhur Gustavo Petro u kërkoi zyrtarëve vendas të ndalonin ngjarje të tilla.

U kërkoj kryetarëve të bashkive të mos lejojnë më shumë ngjarje që përfshijnë vdekjen e njerëzve ose kafshëve,” tha ai.

Nuk ishte hera e parë që ndodh një aksident i tillë, shtoi ai. Në fillim të këtij muaji një person vdiq pasi u godit nga një dem në qytetin e Repelon.

 

Author: jehona