ISTOGU ne poezine MBAREKOMBETARE

U lind më 25 prill1958 në fshatin Prekallë të Istogut-Kosovë. Ka mbaruar fakultetin Filozofik, dega Letërsi – Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Afër tri dekada punoi si mësimdhënës i gjuhës Shqipe. Shkruan poezi për fëmijë dhe të rritur, prozë dhe poezi, si dhe herë pas here kritikë letrare.

  • Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ka shkruajtur mbi 13 vëllime me tregime dhe poezi, nga të cilat 9 vëllime me poezi . Jeton dhe vepron në Istog të Kosovës.

Veprat letrare :
1.”Zgjimi i dhembjes”, 2.”Këngë zemre”, 3.”Buzëqeshja e natyrës”, 4.”Krojet e vendlindjes”, 5.”A flet atdheu ?” ,6.”Nga dritarja e klasës”, 7.”Udhëtim i pafund”, 8.”Kush banon në vjershën tim?” , 9.”Si troket vjeshta ?”

TRI KOHË BRENDA MEJE
Të djeshmen e ha sot,
Me njëmijë përtypje në kujtesë.
Koha më jep shumë vërejtje
Për gjykim, për harresë…

Të sotmen e ha sot,
Po mjerisht s’di si e ha
Hajnisht gjithçka më ikën përballë,
Ndoshta as gjykim të vërtetë s’ka.

Të nesmen e ha në shpresë,
Por shpresa si bimë në pranverë,
Një ditë edhe ajo vdes,
Kujtimet shpërndahen si gjethe në erë.

NË SYTË E TU
Në sytë e tu
Përherë dëshiroj të pushoj
Si luftëtar i betejave të ngjeshura
Nga agu deri në muzg
Shpatën ta var në degën shikim
Etjen ta shuaj nga ujëvara
E kroiit të pashtjerrur, shpirt
E ti, mos më merr
Si gjergj Elez Ali
As si muji, as si Sokol e Halil
Por më prano veç si luftëtar urtak
Udhëtar i përjetshëm drejt Trojës
Me shpresat vullnet-armë për shtegtim
Nga sytë e tu nis mëngjeset
As diellin e jetës
Kurrë s’e pranoj perëndim…
Në sytë e tu më mirë
Se askund tjetër, rri zgjuar prore
Edhe humbjet i kthej në fitore!

Author: jehona