Zëvendëssekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoană, tha në Prishtinë se Ballkani Perëndimor nuk përballet me kërcënime. Udhëheqësit e Kosovës thonë se anëtarësimi në NATO është garancia më e mirë për paqe.
Nga Deutsche Welle
Zëvendëssekretari i NATO-s, gjenerali Mircea Geoana, tha në Prishtinë se NATO ka një interes strategjik në Ballkanin Perëndimor, duke denoncuar kështu, siç tha, “luftën e palogjikshme dhe brutale” të Rusisë në Ukrainë si dhe “ndikimin e saj agresiv dhe keqdashës mbi Ballkanin Perëndimor”.
Gjenerali Geoana, vizitoi të enjten pasdite Prishtinën ku takoi presidenten Vjosa Osmani dhe trupat paqeruajtëse të NATO-os në kuadër tëKFOR-it.
“Ne kemi një interes strategjik në Ballkanin Perëndimor. Dua të dërgoj një mesazh shprese për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor se në fund të gjithë ne do ta gjejmë veten në familjen evropiane dhe euroatlantike”, tha Geoana. Geoana përshëndeti vendimet e shteteve anëtare të NATO-s në rajon, të cilët kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes siç tha si “një reagim i natyrshëm ndaj agresivitetit rus”, dhe shtoi se “NATO do të mbronte të gjithë aleatët dhe çdo centimetër katror të territorit të tyre“.
Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, tashmë janë anëtare të NATO-os. Ndërsa Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina janë partnerë.
Pas luftës në Ukrainë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës tashmë kanë konfirmuar se do të aplikojë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, që konsiderohet si hapi i parë në procesin drejt anëtarësimit në NATO.
Osmani: Uniteti transatlantik është vendimtar
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nga ana e saj, pas takimit me gjeneralin e NATO-os, nënvizoi përkushtimin e Aleancës për Kosovën, si dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë. Sipas presidentes “uniteti transatlantik është vendimtar për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta të paqes, demokracisë dhe lirisë dhe për ta luftuar ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tonë”, thuhet në një deklaratë nga presidenca e Kosovës.
Presidentja Osmani ritheksoi mirënjohjen e Kosovës për prezencën e vazhdueshme të NATO-s në Kosovë, si dhe për gatishmërinë për t’i mirëpritur vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në NATO, ashtu siç është konfirmuar në Konceptin Strategjik të NATO-s, të miratuar së fundi. Presidentja Osmani, po ashtu “nënvizoi vullnetin e qartë të Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike me përfshirjen e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimin në NATO”, thuhet në deklaratë.
Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-os, Mircea Geoană, e ka vlerësuar lartë qëndrimin e Kosovës “për strehimin e refugjatëve afganë dhe për mbështetjen e Kosovës për popullin e Ukrainës, përmes mbështetjes së gazetarëve, sanksioneve kundër Rusisë dhe gatishmërisë për t’i strehuar refugjatët ukrainas”.
Vizita e delegacionit të NATO-s
Në Kosovë pas vizitës së zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-os, qëndroi edhe një delegacion i lartë i përbërë nga përfaqësues të përhershëm të 26 vendeve anëtare të NATO-s dhe Suedisë, e cila së fundi aplikoi për anëtarësim në këtë organizatë. Sipas udhëheqësve më të lartë të institucioneve të Kosovës që takuan delegacionin e NATO-s, “uniteti transatlantik është i domosdoshëm për ta garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe në Evropë kundër qëllimeve dashakeqe të Rusisë”.
Sidoqoftë, Kosova 10 vjet më parë aplikoi për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por kjo nuk u mundësua për shkak se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), kishte statusin e organizatës për ndërhyrje në emergjenca dhe katastrofa natyrore, dhe jo atë të ushtrisë.
Në vitin 2016, qeveria e Kosovës bëri përpjekje të serishme për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n, por ishte Spanja që e kundërshtoi atë.
Në vitin 2017, NATO pranoi ta forcojë bashkëpunimin e saj me FSK-n, por vetëm midis forcës paqeruajtëse të KFOR-it që ka mandat nga OKB dhe zyrës ndërlidhëse dhe ekipit këshillues të NATO-s në Prishtinë.
Në vitin 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin i cili i shton kompetencat Forcës së Sigurisë së Kosovës, për ta shndërruar atë në ushtri në një periudhë brenda 10 vitesh, por pa ia ndërruar emrin.
Aleanca Veriatlantike e NATO-s me trupat e saja në kuadër të KFOR-it, është e pranishme në Kosovë që nga 10 qershori i vitit 1999 pas luftës ndaj Serbisë. Tash për tash, në Kosovë ka rreth 3.700 trupa, në kuadër të misionit të KFOR-it, që akoma funksionon nën mandatin e rezolutës 1244 të KS-it të OKB-së.